Trupat e ushtrisë siriane bllokojnë autokolonën amerikane në Hasaka
Një kolonë ushtarake amerikane është detyruar të tërhiqet nga një zonë në provincën verilindore të Sirisë, Hasaka, pasi ushtarët qeveritarë sirianë e bllokuan atë, mes zemërimit të publikut ndaj vendosjes së forcave të huaja në rajonin e pasur me naftë.
Trupat e ushtrisë siriane, të vendosura në një pikë kontrolli të sigurisë pranë fshatit al-Damkhija në jugperëndim të qytetit Kamishli, bllokuan rrugën dhe ndaluan kalimin e automjeteve të blinduara amerikane që udhëtonin përgjatë autostradës strategjike M4. Trupat amerikane u detyruan më pas të tërhiqeshin dhe të ktheheshin në drejtimin nga kishin ardhur. Nuk ka raportime për përplasje apo të lënduar. Zhvillimi erdhi disa ditë pasi banorët e një fshati në të njëjtën provincë siriane parandaluan një kolonë ushtarake amerikane të kalonte përmes fshatit. Ushtria amerikane ka vendosur forcat dhe pajisjet e saj në Sirinë lindore dhe verilindore, me Pentagonin që pohon se dislokimi ka për qëllim të parandalojë që fushat e naftës në zonë të bien në duart e terroristëve të ISIS. Damasku, megjithatë, thotë se vendosja e paligjshme ka për qëllim të plaçkisë burimet e vendit.