Forcat jemenase avancojnë drejt qytetit Ma'rib
Forcat jemenase kanë çliruar një tjetër kryeqendër në provincën strategjike qendrore Ma'rib, duke vrarë dhjetëra mercenarë të agresorëve sauditë dhe duke detyruar qindra të tjerë mes tyre të dorëzohen.
Burime lokale jemenase dhe media të ndryshme raportuan të martën çlirimin e qytetit al-Xhadid, kryeqendër e distriktit al-Xhuba. Forcave të ushtrisë së Jemenit dhe Komiteteve Popullore iu deshën 48 orë për të marrë kontrollin e qytetit, duke përfshirë qendrën e tij, ndërtesat qeveritare dhe kampet e mercenarëve, raportuan burimet. Sipas rrjetit të lajmeve në gjuhën arabe të Iranit al-Alam, fitorja i ka sjellë forcat jemenase në një distancë të afërt me kryeqytetin e provincës Ma'rib që mban të njëjtin emër me atë të vetë provincës. “Forcat jemenase janë vetëm një hap larg qytetit Ma’rib. Ato kanë shtrënguar kontrollin mbi mercenarët pushtues dhe kanë marrë qytetin al-Xhadid nga tre drejtime, "tha gazetari i al-Alam. Qyteti Ma'rib, i cili ndodhet pikërisht në mes të një sërë provincash të tjera jemenase, është kthyer në një fokus të operacioneve çlirimtare të ushtrisë jemenase që nga viti i kaluar.