Hezbollah: Normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin është tradhti
Një zyrtar i lartë i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah e ka cilësuar si "tradhti" normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, duke thënë se Libani nuk do të përfshihet kurrë në një akt të tillë.
“Normalizimi i marrëdhënieve me regjimin sionist është tradhti dhe rezistenca dhe përdorimi i armëve do të vazhdojë deri në çlirimin e Kudsit”, tha të dielën Sejed Hashem Safieddine, kreu i Këshillit Ekzekutiv të Hezbollahut, në një ceremoni në jug të Libanit. "Libani nuk do të përulet përballë kërcënimeve të huaja dhe do të mbetet një qendër e rezistencës," tha Safieddine, duke shtuar: "Libani nuk do të copëtohet dhe nuk do të jetë ndër komprometuesit dhe ndër vendet që u dorëzuan”. Zyrtari i lartë i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah theksoi se dyzet vjet nga formimi i tij, Hezbollahu është bërë shumë më i fortë dhe ende kundërshton normalizimin e marrëdhënieve me regjimin sionist. Në vitin 2020, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini nënshkruan marrëveshje të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara me Izraelin për të normalizuar lidhjet e tyre me regjimin sionist. Më pas, disa shtete të tjera rajonale, si Sudani dhe Maroku, ndoqën shembullin e tyre.