Hamasi: Regjimi i Tel Avivit kupton vetëm gjuhën e forcës
Një anëtar themelues i lëvizjes së rezistencës palestineze Hamas ka dënuar vrasjen e gjashtë palestinezëve pasi forcat ushtarake izraelite bastisën disa zona në qytetin verior të Nablusit në Bregun Perëndimor, duke theksuar se regjimi i Tel Avivit kupton vetëm gjuhën e forcës.
Khaled Meshaal, kreu i byrosë politike të Hamasit jashtë vendit, deklaroi se me anë të derdhjes së gjakut të palestinezëve të pafajshëm, administrata qeverisëse e koalicionit izraelit e udhëhequr nga kryeministri Yair Lapid po kërkon të dalë fitimtare në zgjedhjet e ardhshme legjislative, të planifikuara për 1 nëntor. “Dëshmorët e frontit të rezistencës kanë hapur rrugën për çlirimin e tokave të pushtuara palestineze dhe për rishfaqjen e rezistencës në Bregun Perëndimor. Megjithë persekutimin e palestinezëve, vrasjet, arrestimet masive, rrethimin mizor të vendosur në qytetin e Xheninit dhe gjetkë në Bregun Perëndimor, rezistenca vazhdon të lulëzojë”, vuri në dukje Meshaal. Ai shtoi: “Krimet barbare të regjimit sionist nuk do të dëmtojnë kurrë vendosmërinë e luftëtarëve të rezistencës palestineze. Përkundrazi, zhvillimet e fundit tregojnë se shpirti i rezistencës është i lartë mes të gjithë palestinezëve.” Zyrtari i lartë i Hamasit u bëri thirrje gjithashtu të gjithë palestinezëve që të ruajnë unitetin kombëtar dhe të shtrëngojnë lakun rreth kolonëve izraelitë. 5 të rinj palestinezë u vranë në sulmet izraelite në Nablus, ndërsa 20 palestinezë të tjerë u plagosën. “Ne u themi vëllezërve tanë në Nablus se do të vazhdojmë të qëndrojmë në anën e tyre. Shpresojmë se do të luftojmë në radhët tuaja në të ardhmen e afërt. Fushata e rezistencës, e cila ka shpërthyer në Bregun Perëndimor dhe në tokat e pushtuara palestineze, mbart këtë mesazh se regjimi sionist është në rënie”, tha Khaled Meshaal.