Hamasi i kërkon kryediplomatit evropian të tërheqë fjalët e tij
Lëvizja e Rezistencës Islamike të Palestinës, Hamas, ka reaguar të hënën, më 13 nëntor, ndaj deklaratës së Josep Borrell, shefit të Bashkimit Evropian për politikën e jashtme dhe sigurinë, kundër Rezistencës Palestineze, raportoi agjencia e lajmeve Fars.
Sipas lëvizjes Hamas, Borrell shtrembëroi faktet dhe mbështeti pushtuesit në krimet që vazhdojnë të kryejnë kundër palestinezëve.
Në një deklaratë në emër të Bashkimit Evropian, Borrell kohët e fundit dënoi Hamasin dhe këmbënguli në atë që ai e quajti "të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten".
Hamasi u përgjigj duke theksuar se Josep Borrell shtrembëroi realitetin me akuzat e tij se Rezistenca po përdorte spitalet dhe civilët si mburoja njerëzore.
"Këto akuza dëshmojnë mbështetjen e Evropës për pushtuesit për të kryer më shumë krime kundër fëmijëve dhe civilëve të pambrojtur," tha Hamasi.
Më pas, Hamasi kundërshtoi "deklaratat e rrezikshme" të Borrelit, të cilat "injorojnë totalisht faktet, dëshmitë dhe raportet ndërkombëtare të regjistruara mbi krimet e pushtuesve sionistë". Lëvizja Palestineze e Rezistencës Islamike i bëri thirrje gjithashtu zotit Borrell që të tërheqë menjëherë "deklaratat e tij joadekuate dhe çnjerëzore".
Hamasi përshëndeti gjithashtu shkarkimin e Ministres së Brendshme britanike, e njohur për sfidat e saj ndaj mbështetjes popullore në Britani për të drejtat e popullit palestinez.
Sipas agjencisë së lajmeve IRNA, zëdhënësi i lëvizjes Hamas, Fauzi Barhum, përshëndeti shkarkimin e Ministres së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila i përshkroi si vandalë mbështetësit e të drejtave të popullit palestinez.