Ashkeloni goditet nga raketa, bien sirenat e alarmit në Eilat
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i151478-ashkeloni_goditet_nga_raketa_bien_sirenat_e_alarmit_në_eilat
Përveç sulmit të suksesshëm me raketa në qytetin Ashkelon, Brigadat al-Kassam, krahu ushtarak i Hamasit, njoftoi se kishte vrarë dy ushtarë izraelitë. Gjithashtu, në qytetin port Eilat në jug të Izraelit ranë sirenat e alarmit.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Nëntor 14, 2023 16:47 Europe/Tirane
  • Ashkeloni goditet nga raketa, bien sirenat e alarmit në Eilat

Përveç sulmit të suksesshëm me raketa në qytetin Ashkelon, Brigadat al-Kassam, krahu ushtarak i Hamasit, njoftoi se kishte vrarë dy ushtarë izraelitë. Gjithashtu, në qytetin port Eilat në jug të Izraelit ranë sirenat e alarmit.

Në një deklaratë të publikuar të martën, më 14 nëntor, Brigadat al-Kassam njoftuan gjithashtu përleshje midis luftëtarëve të Rezistencës Palestineze dhe forcave izraelite në pjesë të ndryshme të Rripit të Gazës.

Duke iu referuar përleshjeve të vazhdueshme në Beit Hanun (në veri të Rripit të Gazës), deklarata thekson se tre ushtarë të tjerë izraelitë u plagosën në të njëjtën zonë.

Rezistenca Palestineze shënjestroi qytetin e pushtuar Ashkelon (në veri të Rripit të Gazës) me një sulm me raketa këtë pasdite. Një numër raketash goditën drejtpërdrejt objektivat.

Nga ana e saj, ushtria izraelite konfirmoi vdekjen e dy ushtarëve të saj, duke shtuar se katër të tjerë u plagosën mbrëmë në përleshjet që ndodhën pas sulmit tokësor në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë, ushtria izraelite saktësoi se numri i viktimave të saj arriti në 47 ushtarë që nga fillimi i sulmit tokësor kundër Rripit të Gazës.

Më tej në Eilat (në jug të territoreve të pushtuara) sirenat e alarmit ranë sërish pasditen e së martës, pasi qyteti port ishte shënjestruar nga luftëtarët e Rezistencës Jemenase.

Menjëherë pas kësaj, burime izraelite raportuan se në port është dëgjuar një shpërthim i fortë. Për momentin nuk është bërë asnjë vlerësim për numrin e viktimave apo humbjet materiale.