Izraeli qëlloi në kampin Nuseirat; 20 persona të vrarë
Sipas televizionit Al-Mayadeen, burimet e lajmeve raportuan se interneti dhe komunikimet në Gaza ishin ende të ndërprera. Forcat e regjimit sionist filluan bombardimin e pjesës lindore të qytetit Khan Yunis. Në të njëjtën kohë, zhurma e luftimeve të ashpra po dëgjohet në rajon.
Nga ana tjetër, më shumë se 20 persona janë martirizuar nga bombardimi i kampit të refugjatëve Nuseirat nga forcat e regjimit izraelit. Gjatë sulmit në lindje të vendkalimit Rafah, disa persona u plagosën.
Këto ngjarje ndodhën teksa ushtarët e regjimit sionist patrullojnë nëpër korridoret e spitalit Shifa duke keqtrajtuar pacientët dhe stafin mjekësor. Ushtarët sionistë po pengojnë aksesin në ilaçe, banka gjaku dhe ushqime në spitalin Shifa. Pushtuesit kanë rrethuar Spitalin Shifa dhe tanket e regjimit sionist janë rreshtuar sot në rrugën Al-Wahdeh.
Spitali Shifa është bërë një pikë qendrore e sulmeve izraelite që kur trupat e regjimit sulmuan kompleksin të mërkurën, duke pretenduar se lëvizja e rezistencës palestineze Hamas po e përdorte atë si qendër komandimi. Krerët e Hamasit dhe drejtuesit e spitaleve e mohojnë kategorikisht këtë pretendim.
Për më tepër, përleshje janë raportuar rreth spitalit Al-Ahli në Gaza dhe situata atje është shumë e rëndë dhe e rrezikshme.
Gjithashtu të premten, një sulm izraelit shënjestroi shkollën al-Falah, e cila strehon mijëra njerëz të zhvendosur, në lagjen al-Zejtun, në jug të qytetit të Gazës, duke lënë një numër të madh njerëzish të vrarë dhe të plagosur.
Sipas autoriteteve palestineze, të paktën 11.500 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë dhe mbi 29.200 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite.