Erdogan akuzon Perëndimin për luftën në Gaza
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e përdori një fjalim për të drejtat e njeriut të shtunën për ta akuzuar Perëndimin për “barbarizëm” në qëndrimet e tij për luftën në Gaza.
“Izraeli ka kryer masakra dhe mizori të cilat do ta turpërojnë tërë njerëzimin”, tha Erdogani në një sallë të mbushur në Stamboll, një ditë para përvjetorit të 75-të të Deklaratës Universale për të Drejtave e Njeriut. Të gjithë vlerat e ndërlidhura me njerëzimin po vriten në Gaza. Përballë brutalitetit të tillë, institucionet ndërkombëtare dhe organizatat për të drejtat e njeriut nuk po ndërmarrin hapa konkret për t’i parandaluar këto shkelje”, tha Presidenti turk.
Duke iu referuar vetos që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përdorën të premten kundër rezolutës së Kombeve të Bashkuara, e cila bënte thirrje për një armëpushim në Gazë, Erdogan tha se është e mundur të ketë një botë më të drejtë “por jo me Amerikën, sepse ajo qëndron përkrah Izraelit… Nga tani, njerëzimi nuk do të mendojë se SHBA-ja e mbështet Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut”.