Gallant: Izraeli është gati të veprojë kundër Ansarullahut
Regjimi sionist, i cili ka qenë i pafuqishëm në luftën me Hamasin, ka pretenduar se do të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Ansarullahut.
Yoav Gallant, ministri i luftës i regjimit sionist, në një konferencë për shtyp të shtunën në mbrëmje tha se Izraeli është i gatshëm t'i përgjigjet sulmeve të Ansarullahut të Jemenit, por së pari do t'u japë vendeve të botës një shans për të ndërmarrë veprime!
Ai deklaroi: “Nëse duhet, ne dimë si të veprojmë.”
Më herët, Ishak Herzog, kreu i regjimit sionist, në përgjigje të këtyre sulmeve, njoftoi se Ansarullah i Jemenit kishte kaluar vijën e kuqe në Detin e Kuq.
Lidhur me këtë, ai në faqen e tij personale në rrjetin social X ka shkruar: Aktivitetet ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër veprimeve të Ansarullahut të Jemenit duhet të shtohen dhe forcohen. Ne duhet të jemi dëshmitarë të formimit të një koalicioni ndërkombëtar në këtë fushë.
Më herët, Ali al-Kahum, një zyrtar i Ansarullahut të Jemenit, tha se çdo veprim armiqësor nga forcat e huaja kundër Jemenit do të kishte pasoja të tmerrshme.
Jemeni ishte i vetmi vend arab që jo vetëm nuk heshti ndaj agresionit të regjimit sionist në Gaza, por shpalli urdhrin e luftës kundër armikut sionist.
Autoritetet amerikane dhe izraelite deri tani nuk kanë mundur të gjejnë një zgjidhje për t'u përballur me ushtrinë jemenase.
Faqja e internetit Axios, duke cituar një zyrtar të lartë izraelit, pretendoi se kabineti i luftës i Netanyahut ka vendosur të përmbahet nga dhënia e një përgjigje ushtarake ndaj veprimeve të Ansarullahut të Jemenit kundër anijeve izraelite në Detin e Kuq.