Kryeministri i Irakut kërkon tërheqjen e menjëhershme të forcave amerikane
Kryeministri irakian Mohammad Shia al-Sudani tha se Iraku dëshiron tërheqjen e menjëhershme të forcave të huaja të udhëhequra nga SHBA nga vendi i tij për shkak të aktiviteteve të tyre destabilizuese.
Kryeministri irakian e bëri këtë kërkesë të enjten gjatë një programi televiziv në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.
Al-Sudani tha se "fundi i koalicionit të udhëhequr nga SHBA ishte një domosdoshmëri për sigurinë dhe stabilitetin e Irakut".
"Është gjithashtu një domosdoshmëri për ruajtjen e marrëdhënieve konstruktive dypalëshe midis Irakut dhe vendeve të koalicionit", shtoi ai.
Kryeministri irakian tha se është gjithashtu e nevojshme që “të fillojë menjëherë një dialog, për të arritur një mirëkuptim dhe një afat kohor në lidhje me përfundimin e misionit të këshilltarëve ndërkombëtarë”.
Më tej në fjalën e tij, al-Sudani lavdëroi sakrificat e bëra nga forcat ushtarake irakiane në luftën kundër terrorizmit.
Thirrjet e gjata të fraksioneve irakiane për largimin e koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja janë shtuar pas një serie sulmesh të SHBA-së ndaj Njësive të Mobilizimit Popullor të Irakut (PMU), të cilat janë pjesë e forcave të sigurisë së Irakut.