Britania: E njohim shtetin palestinez edhe pa miratimin e Izraelit
(last modified Fri, 02 Feb 2024 18:27:16 GMT )
Shkurt 02, 2024 19:27 Europe/Tirane
  • Britania: E njohim shtetin palestinez edhe pa miratimin e Izraelit

Pas njoftimeve se administrata Biden po punon në mënyrë aktive për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, dritë jeshile mbërrin edhe nga Londra zyrtare.

Nga Libani ku ndodhej për vizitë, Sekretari i Jashtëm David Cameron deklaroi se pas një armëpushimi në Gaza, vendi i tij mund ta njohë zyrtarisht një shtet palestinez pa e pritur rezultatin e bisedimeve shumëvjeçare mes Izraelit dhe palestinezëve për një zgjidhje me dy shtete. Ai theksoi megjithatë për Associated Press se nuk do të ketë asnjë njohje ndërsa Hamasi vazhdon të jetë Gazë. Njohja, tha Cameron, mund të vijë ndërsa vazhdojnë negociatat mes Izraelit dhe palestinezëve.

Shefi i diplomacisë britanike shpjegoi se njohja e një shteti të pavarur palestinez nga Mbretëria e Bashkuar dhe OKB-ja “nuk mund të vijë në fillim të procesit, megjithatë nuk duhet të jetë as në fund të tij”. “Mund të jetë diçka që merret në konsideratë pasi procesi dhe përparimi drejt një zgjidhjeje, bëhet më real”, tha zoti Cameron.

“Ajo që duhet të bëjmë është t’i japim popullit palestinez një mundësi drejt një të ardhmeje më të mirë, të ardhmes për të pasur shtetin e tyre”. Kjo perspektivë është “absolutisht jetike për paqen dhe sigurinë afatgjatë të rajonit”, shtoi ai.

Negociatat për krijimin e një shteti të pavarur palestinez u bllokuan në 2009-tën, e që prej atëherë, nuk pati më progres në këtë drejtim. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar çdo mundësi për krijimin e shtetit të pavarur palestinez.

 

Tags