Një anije goditet nga raketa në Jemen
Një anije është sulmuar këtë të shtunë, më 18 maj në ujërat e Detit të Kuq.
Një cisternë nafte me flamur panamez u godit nga një raketë në brigjet e Jemenit të shtunën. Sipas agjencisë britanike të sigurisë detare UKMTO, anija "pësoi dëmtime të vogla pasi u godit nga një raketë e paidentifikuar".
Lajmin e konfirmoi gjithashtu edhe kompania e sigurisë detare Ambrey. Një komunikim me radio tregon se anija ishte goditur nga një raketë dhe se kishte një zjarr në dhomën e komandimit.
Sipas kompanisë britanike, sulmi ndodhi afërsisht 10 milje detare në jugperëndim të qytetit jemenas Makha.
Autoritetet dhe mediat jemenase deri më tani nuk e kanë konfirmuar dhe as mohuar këtë lajm.
Mahdi al-Mashat, kryetar i Këshillit të Lartë Politik të Jemenit, tha të mërkurën, më 15 maj, se faza e katërt e operacioneve do të fillojë me operacione specifike dhe shtoi se "ne do të duhet të bëjmë zgjedhje vendimtare, të guximshme dhe të vështira nëse agresioni kundër popullit në Gaza vazhdon.”
Sipas një raporti tjetër nga rajoni, zëdhënësi i forcave të armatosura të Jemenit raportoi shkatërrimin e dronit të katërt amerikan nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Jemenit.
Jahja Sarei, konfirmoi se luftëtarët jemenas rrëzuan dronin amerikan MQ-9 në veri të provincës Maarib duke përdorur raketa tokë-ajër të prodhimit vendas.