Tetor 07, 2024 11:16 Europe/Tirane
  • Dështon

Mediat e regjimit sionist kanë pranuar në orët e para të mëngjesit të sotëm dështimin e sistemit Iron Dome në perceptimin dhe kapjen e raketave të Hezbollahut dhe goditjen që ato i bënë portit strategjik të qytetit bregdetar Haifa, në territoret e pushtuara.

Sipas agjencisë iraniane të lajmeve IRNA cituar nga agjencia Sputnik, departamenti i emergjencës i regjimit sionist njoftoi se sulmet me raketa të Hezbollahut në qytetet Haifa dhe Tabariya (Tiberias) shkaktuan 10 të plagosur dhe gjendja e disa prej këtyre të plagosurve u deklarua kritike.

Rezistenca Islamike e Libanit njoftoi gjithashtu: "Luftëtarët e Rezistencës qëlluan me raketa 'Fadi 1' bazën ushtarake Al-Karmel, një nga bazat kryesore ushtarake të regjimit sionist në jug të qytetit Haifa."

Rrjeti televiziv informativ Al-Jazeera njoftoi gjithashtu se pesë sionistë u plagosën si pasojë e një rakete të lëshuar nga Libani, e cila goditi një ndërtesë.

Kanali 12 televiziv i Izraelit njoftoi: "Pasi një numër raketash goditën qytetin Haifa, forcat e emergjencës dhe të shpëtimit, si dhe ambulancat, u vunë në gjendje gatishmërie në këtë qytet."

Kryebashkiaku i qytetit Haifa tha: "Ky është sulmi i parë i Hezbollahut në qytetin e Haifës që nga fillimi i luftës dhe dëmi i sulmit është shumë i madh."