Tetor 08, 2024 21:10 Europe/Tirane
  • Hezbollahu zmbraps ushtarët sionistë në përleshjet në kufi

Hezbollahu i Libanit ka njoftuar se forcat e tij kanë zmbrapsur ushtarët sionistë që përpiqeshin të hynin në Liban në një zonë kufitare.

Agjencia e lajmeve Al Ahd njoftoi se në përleshjet midis forcave të Hezbollahut dhe mercenarëve sionistë në pikën kufitare Labbouneh të martën, sionistët u detyruan të iknin përsëri në territoret palestineze të pushtuara nga Izraeli.

Raporti tha se Hezbollahu shënjestroi forcat sioniste me një breshëri raketash dhe predha artilerie, të cilat shkaktuan viktima mes tyre.

TV Al Mayadeen kishte njoftuar më herët përleshje të drejtpërdrejta midis grupeve të rezistencës dhe forcave sioniste të cilat kishin avancuar nga prapa një qendre të UNIFIL.

Ndërkohë, Ushtria e regjimit sionist ka njoftuar se Hezbollahu libanez në më pak se një orë ka lëshuar 105 raketa në Haifa dhe zonat përreth në veri të territoreve të pushtuara.

Mediat izraelite raportuan të martën se dhjetëra raketa u lëshuan në territoret e pushtuara dhe sirenat e alarmit u dëgjuan në Haifa, Kiryat dhe zonat përreth në të njëjtën kohë kur Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Sheikh Naim Kasem po mbante një fjalim.

Zëdhënësi ushtarak i regjimit izraelit deklaroi se 85 raketa kaluan hapësirën ajrore libaneze brenda katër minutave pasi sirenat e alarmit u aktivizuan në Haifa, Galilea e Epërme dhe Galilea Qendrore.

Në një deklaratë të dytë, zëdhënësi ushtarak i regjimit izraelit njoftoi se 20 raketa të tjera u hodhën në valën e dytë të sulmeve të Hezbollahut.

Mediat izraelite raportuan se sulmi i sotëm i Hezbollahut në Haifa dhe zonat përreth është më i madhi i këtij lloji që nga fillimi i luftës.