Hezbollah: Edhe Haifa do të kthehet në një qytet fantazmë
Rezistenca Islamike e Libanit kërcënoi se qyteti i pushtuar Haifa do të shkretohet ashtu si qytetet e tjera në veri të Palestinës së pushtuar.
Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, njësia mediatike e Hezbollahut të Libanit publikoi një video në orët e para të mëngjesit të së mërkurës dhe kërcënoi se do ta kthente Haifan në një qytet fantazmë, ashtu si Kiryat Shmouna dhe al-Mutil'la, gjë e cila do të rrisë numrin e të shpërngulurve sionistë.
Në këtë videoklip shfaqen pamje grafike të qytetit të Haifës, i cili po digjej dhe banorët e të cilit po iknin pas sulmeve të rënda raketore të Rezistencës libaneze.
Autoritetet e regjimit sionist kanë intensifikuar sulmet ndaj Hezbollahut me qëllim kthimin e të shpërngulurve në zonat veriore të Palestinës së pushtuar dhe janë përballur me rezistencën e luftëtarëve të kësaj lëvizjeje.
Hezbollahu ka njoftuar se të shpërngulurit sionistë nuk do të kthehen në Palestinën e pushtuar derisa të ndalojnë sulmet në Gaza.
Në të njëjtën kohë, lëvizja libaneze Hezbollah njoftoi për sulme me raketa në thellësi të territoreve të pushtuara, si pasojë e të cilave u plagosën disa sionistë.
Zyra e Informacionit të Luftës së Rezistencës njoftoi se forcat libaneze të Rezistencës sulmuan rëndë me raketa "Kadir 2" rrethinat e Tel Avivit.
Gjithashtu, sipas raportimeve të mediave izraelite, afro 50 raketa u hodhën nga Libani drejt qytetit Safed.
Disa media njoftuan se sistemi "Iron Dome" (Kupola e Hekurt) ka kapur vetëm disa nga raketat e lëshuara nga Hezbollahu dhe se disa të tjera kanë goditur objektivat.
Organizata e Radio-Televizionit të regjimit sionist konfirmoi se 2 izraelitë u plagosën si pasojë e sulmeve raketore të Libanit.