Fillon armëpushimi midis Libanit dhe regjimit sionist
Marrëveshja e armëpushimit mes regjimit sionist dhe Libanit ka hyrë në fazën e zbatimit mëngjesin e kësaj të mërkure.
Sipas agjencisë së lajmeve ISNA, pasi presidenti amerikan Joe Biden shpalli marrëveshjen e armëpushimit mes Libanit dhe regjimit sionist, kjo marrëveshje u zbatua mëngjesin e sotëm.
Sipas presidentit amerikan Biden, në 60 ditët e ardhshme, ushtria izraelite do të tërhiqet gradualisht, civilët izraelitë do të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ushtria libaneze do të rimarrë kontrollin e territorit të saj.
Pasi ra dakord për marrëveshjen e armëpushimit, kabineti izraelit miratoi që armëpushimi të hyjë në fuqi mëngjesin e së mërkurës së 27 nëntorit.
Sipas gazetës "The Guardian", në bazë të kushteve të marrëveshjes, Izraeli do të tërhiqet plotësisht nga jugu i Libanit, ndërsa Hezbollahu do të transferojë armatimet e tij të rënda në veri të lumit Litani, rreth 25 kilometra në veri të kufirit.
Gjatë fazës së tranzicionit, ushtria e Libanit do të vendoset në zonën kufitare ndarëse (tampon) së bashku me forcat paqeruajtëse të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Zëdhënësi i ushtrisë sioniste, Daniel Hagari, ka bërë të ditur se me zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit, ushtria izraelite është ende e stacionuar në pozicionet e saj në jug të Libanit.
Rrjeti i Radio-Televizionit izraelit raportoi gjithashtu se ushtria e këtij regjimi u kërkoi banorëve të jugut të Libanit që të mos lëvizin drejt fshatrave të evakuuara derisa të informohen për kohën e sigurt për t'u kthyer në shtëpitë e tyre. Por pavarësisht këtij paralajmërimi, të shpërngulurit libanezë kanë filluar të kthehen në shtëpitë e tyre.
Pas shpalljes së marrëveshjes së armëpushimit në Liban, presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologu i tij amerikan, Joe Biden, lëshuan një deklaratë të përbashkët.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca janë të përkushtuara që, në bashkëpunim me Izraelin dhe Libanin, të garantojnë zbatimin dhe monitorimin e plotë të kësaj marrëveshjeje. Qëllimi i këtyre përpjekjeve është të parandalojnë që konfliktet të kthehen në një tjetër cikël dhune.
Sipas kësaj deklarate, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Franca u zotuan gjithashtu të mbështesin përpjekjet për riformatimin e Forcave të Armatosura Libaneze dhe zhvillimin ekonomik të Libanit.
Më tej, thuhet se me këtë marrëveshje janë krijuar kushtet për kthimin e paqes së qëndrueshme dhe se banorët e të dyja palëve mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre në të dy anët e vijës kufitare.