Kryeministri i Irakut do të vizitojë Teheranin
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, tha se kryeministri irakian Mohammed Shia' Al Sudani do të vizitojë Republikën Islamike javën e ardhshme.
Baghaei tha të martën se Al Sudani do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të lartë iranianë gjatë vizitës së tij në Teheran.
Sipas zëdhënësit, bisedimet do të fokusohen në marrëdhëniet Teheran-Bagdad dhe mënyrat për t'i zgjeruar më tej ato.
Në agjendë janë edhe çështjet rajonale dhe veçanërisht situata në Siri, shtoi ai.
Në mesin e shtatorit 2024, Presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian kreu një udhëtim tre-ditor në Irak në vizitën e tij të parë të huaj që nga marrja e detyrës.
Zyrtarët e lartë të të dy vendeve kanë shprehur vazhdimisht vendosmërinë e tyre për të zgjeruar bashkëpunimin për çështjet dypalëshe dhe rajonale.