Refugjatët e Gazës festojnë pas shpalljes së marrëveshjes së re
Pas shpalljes së marrëveshjes së re të shkëmbimit të të burgosurve, banorët e zonave veriore të Gazës mund të kthehen në vendet e tyre të banimit në kampin Xhebalia, qytezën Beit Lahia dhe zona të tjera.
Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi të hënën në mëngjes për një marrëveshje të re midis Hamasit dhe Izraelit në lidhje me lirimin e një numri më të madh të të burgosurve, si dhe kthimin e personave të zhvendosur nga Gaza veriore në shtëpitë e tyre.
Pas shpalljes së këtij lajmi, të shpërngulurit e Gazës festuan në kampin e rrugës Al-Rashid, në qytezën ku strehohen banorët e provincës "Gaza Veriore".
Sipas deklaratës së ushtrisë okupatore izraelite, ata mund të kthehen në shtëpitë e tyre në këmbë nga nesër në orën 07:00 me orën lokale dhe me makinë (pas inspektimit) nga ora 9:00 e mëngjesit. Megjithëse pothuajse nuk ka mbetur ndonjë shtëpi e paprishur, shumë prej të zhvendosurve kanë thënë vazhdimisht se janë gati të jetojnë në shtëpi të rrënuara në vend që të jetojnë nëpër tenda e çadra.
Ushtria pushtuese njoftoi gjithashtu se askush nuk duhet t'u afrohet qendrave të dislokimit ushtarak dhe se askush nuk duhet të hyjë në bregdetin e Gazës në ditët në vijim.
Kthimi i banorëve të Gazës veriore vjen në një kohë kur ushtria izraelite po planifikonte të evakuonte plotësisht këtë pjesë të Gazës dhe ta ndante Gazën në dy pjesë; madje kishte edhe plane për ndërtimin e vendbanimeve.