Arrestohet guvernatori i ISIS në Liban
Agjencia e shërbimit inteligjent të Libanit gjatë një operacioni special, ka arrestuar Emad Jasin, i njohur si guvernatori i ISIS në Liban.
Kanali informativ Al Menar njoftoi se Emad Jasin është arrestuar në kampin e refugjatëve palestinezë Ejnul-Halva në qytetin Sejda në jug të Libanit. Ky person synonte të organizonte disa operacione terroriste në jug të Libanit. Kampi Ejnul-Halva gjatë javëve të fundit ishte nën masat e sigurisë dhe thuhet se autoritet e sigurisë së Libanit janë në përndjekjen e disa personave në këtë kamp ndërsa disa prej banorëve të këtij kampi janë dorëzuar pranë forcave të sigurisë. Emad Jasin në fund të vitit të kaluar me anë të një video-mesazhi ka kërcënuar me sulme të ndryshme qytetarët libanezë, sidomos anëtarët e Rezistencës Islamike Hezbullah dhe të krishterët e këtij vendi. ISIS gjithashtu ka pretenduar se ndikimi i këtij grupi në Liban po shtohet për çdo ditë e më tepër. Ndërkohë Hezbullahu i Libanit aktualisht po lufton kundër terroristëve të ISIS në disa rajone kufitare me Sirinë dhe në këtë luftë ka shënuar suksese të rëndësishme.