Zbulohet depoja e armëve të ISIS në Irak
Ministria e brendshme e Irakut bëri të ditur se policia e Bagdadit ka zbuluar një depo të armatimeve të terroristëve të ISIS në rajonin Al Taxhi në veri të Bagdadit, si dhe shumë bomba të llojeve të ndryshme dhe jelekë me eksplozivë.
Siç njofton kanali televiziv Al Sumaria News, terroristët kishin në plan që bombat dhe jelekët me eksplozivë t’i përdornin gjatë muajit Muharrem kundër pjesëmarrësve në ceremonitë e Ashurasë. Gjithashtu shërbimi informativ i ushtrisë irakiane njoftoi se është shkatërruar një grup terrorist në perëndim të Bagdadit, i cili ishte i lidhur me ISIS dhe ishte përgjegjës për kryerjen e shumë sulmeve vetëvrasëse në Irak. Ndërkohë sot, në një sulm terrorist në perëndim të Bagdadit, 7 civilë irakianë janë vrarë dhe mbi 20 të tjerë janë plagosur.