Vritet një ushtar amerikan në veri të Irakut
Pentagoni thotë se një ushtar amerikan është vrarë nga një pajisje shpërthyese e improvizuar në veri të Irakut.
Zyrtarët e mbrojtjes së SHBA-së, thanë më 20 tetor se ushtari ishte plagosur nga shpërthimi, që ndodhi në afërsi të qytetit të Mosulit. Ai më pas ndërroi jetë nga plagët e marra. Ushtari ishte në mesin e 100 trupave të SHBA-së që po u ndihmojnë forcave irakiane dhe atyre kurde, që përmes sulmeve ajrore, të koalicionit të udhëhequr nga SHBA, ofrojnë mbështetje në ofensivën për çlirimin e Mosulit nga terroristët e grupit ISIS. Terroristët e grupit ISIS kanë vendosur mina tokësore dhe eksplozivë të improvizuar nëpër fshatra, rrugë dhe në shkretëtirën rreth qytetit Mosul. Ata pushtuan këtë qytet, në verën e vitit 2014. Ofensiva për çlirimin e qytetit të Mosulit tashmë ka hyrë në ditën e pestë. Të enjten, kryeministri irakian, Hejder Ebadi tha se përparimet që kanë shënuar forcat irakiane dhe ato kurde, janë më shumë se sa ishte menduar më herët.