Irani dhe Vatikani zhvillojnë dialogun mes Islamit dhe Krishterizmit
Takimi i dhjetë i dialogut "Islami dhe Krishterizmi" u zhvillua me temën "Ekstremizmi dhe dhuna në emër të fesë" në Vatikan në të cilën morën pjesë kardinal Zhan Lui Toran, zëvendësi i Papës dhe Abuzar Ibrahimi Turkman, kryetari i Organizatës për Kulturë dhe Komunikim Islamik të Iranit.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se Abuzar Ibrahimi Turkman të martën në këtë takim deklaroi se problemi i botës së sotme është injoranca moderne dhe shkak i shfaqjes së injorancës moderne është mosbesimi në mësimet racionale dhe ndarja e fesë nga njerëzimi. Ibrahimi Turkman ka theksuar se në vitet e fundit dhuna e organizuar, në shumë rajone të botës është shtuar duke përdorur mësimet fetare, mirëpo kjo është rezultat i injorancës moderne, prandaj duhet bërë përpjekje për të parandaluar institucionalizimin e këtij lloji të injorancës në shoqëritë e vendeve të ndryshme. Për fat të keq injoranca moderne është e pajisur me dituri dhe shkencë, prandaj përmasat shkatërruese të saj janë shumë më të shpejta se sa ato të injorancës primitive. Nga ana e tij, kardinal Lui Toran, zëvendësi i Papës, zhvillimin e këtyre takimeve e quajti vazhdimësi të marrëdhënieve miqësore mes myslimanëve dhe katolikëve.