Kuvajti blen avionë luftarakë nga Amerika
Kuvajti do të blejë 28 avionë luftarakë F-18 Super Hornet për të zëvendësuar një model më të vjetër të avionëve luftarakë amerikanë, në përputhje me kontratën e dytë në planin e armatimeve brenda këtij viti.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se autoritetet e Kuvajtit kanë bërë të ditur se vlera e kësaj kontrate nuk pritet të tejkalojë 5 miliardë dollarë (4,7 miliardë euro). Gjeneral-major Lafi al-Azemi, kreu i prokurimit të armatimeve ushtarake në Ministrinë e Mbrojtjes së Kuvajtit, në një intervistë me agjencinë e lajmeve KUNA, ka thënë se marrëveshja parashikon zëvendësimin e avionëve të modelit të vjetër Hornet që janë pjesë e forcave ajrore kuvajtiane. Vlen të theksohet se vendet arabe të Gjirit Persik gjatë viteve të fundit pavarësisht problemeve të shumta të brendshme dhe ekonomike, konsiderohen blerësit kryesorë të armatimit në botë. Burimet informative bëjnë të ditur se gjashtë vendet anëtare të Këshillit për Bashkëpunim të Gjirit Persik po përballen me një deficit të madh të buxhetit dhe kjo mungesë deri në fund të vitit 2016 do të arrijë shifrën 153 miliardë dollarë. Ndërkohë shtimi i paparë i blerjes së armatimit nga këto vende, ka përkeqësuar gjendjen ekonomike të tyre.