Shefi i OKB-së arrin në Irak
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka arritur në Irak për të rishikuar, siç tha ai, "situatën e tmerrshme humanitare", derisa forcat e sigurisë vazhdojnë betejën për të rikthyer qytetin e Mosulit nga grupi terrorist ISIS.
"Mbrojtja e civilëve duhet të jetë prioritet absolut", shkroi Guterres në Twitter. Shefi i OKB-së pritet të takojë kryeministrin irakian, Heidar Abadi, në Bagdad dhe të udhëtojë në Arbil, qendrën e Kurdistanit të Irakut. Në muajin tetor, forcat qeveritare, me mbështetjen amerikane, kanë nisur një ofensivë masive për rikthimin e Mosulit, bastionit kryesor të grupit terrorist ISIS. Forcat e kanë rikthyer pjesën lindore të qytetit, ndërsa janë duke luftuar për anën perëndimore, e cila është më shumë e populluar.