Amerika rinis shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite pavarësisht kritikave
https://parstoday.ir/sq/news/west_asia-i48258-amerika_rinis_shitjen_e_armëve_ndaj_arabisë_saudite_pavarësisht_kritikave
Ministria e jashtme amerikane miratoi vendimin e presidentit  Donald Trump për rifillimin e procesit të shitjes së armëve  dhe pajisjeve ushtarake ndaj Arabisë Saudite, pavarësisht nga të gjitha kritikat e bëra në të kaluarën dhe tani ndaj kësaj lloj marrëveshjeje, për shkak të ndikimit shkatërrues të përdorimit të këtyre lloj armëve dhe kërcënimit të jetës së mijëra civilëve në Jemen.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Prill 04, 2017 04:09 Europe/Tirane
  • Amerika rinis shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite pavarësisht kritikave

Ministria e jashtme amerikane miratoi vendimin e presidentit  Donald Trump për rifillimin e procesit të shitjes së armëve  dhe pajisjeve ushtarake ndaj Arabisë Saudite, pavarësisht nga të gjitha kritikat e bëra në të kaluarën dhe tani ndaj kësaj lloj marrëveshjeje, për shkak të ndikimit shkatërrues të përdorimit të këtyre lloj armëve dhe kërcënimit të jetës së mijëra civilëve në Jemen.

Miratimi i marrëveshjes nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit erdhi pas pengesës që kishte hasur gjatë mandatit të ish-presidentit Barack Obama si rezultat i disa raporteve të organizatave të të drejtave të njeriut të cilat kanë konfirmuar shkeljen e të drejtave të njeriut nga ana e Riadit përmes përdorimit të këtyre armëve.

Reagimi i gazetave botërore ndaj këtij vendimi

Gazeta britanike “The Independent” tha se “Departamenti i Shtetit ra dakord të rifillojë shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite, gjë e cila ishte pezulluar në muajt e fundit të qeverisjes së ish-presidentit Barack Obama, për shkak të shqetësimeve në lidhje me zbatimin e të drejtave të njeriut.” Në një raport të saj të publikuar të enjten e kaluar, gazeta shtoi se vendimi për të pezulluar shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite ishte si rezultat i nisjes së sulmeve ushtarake nga ana e Arabisë Saudite ndaj civilëve në Jemen. Gazeta theksoi se raportet e ekspertëve të Kombeve të Bashkuara njoftuan se forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë kryer sulme në Jemen, të cilat mund të konsiderohen si “krime lufte”.

Gazeta përfundoi duke thënë se qëllimi i Shteteve të Bashkuara nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është përforcimi i lidhjeve me Arabinë Saudite, ndërkohë që zyrtarë të tjerë amerikanë thanë se marrëveshja kërkon miratimin e Shtëpisë së Bardhë për të hyrë në fuqi.

Nga ana e saj, gazeta amerikane  “The Washington Post” publikoi një raport në të cilin qartësoi arsyet e miratimit të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi vendimin e Trump për të rifilluar shitjen e armëve ndaj Arabisë Saudite.

Gazeta theksoi se Departamenti i Amerikan i Shtetit ra dakord për këtë marrëveshje, pavarësisht të gjitha thirrjeve për të parandaluar nënshkrimin e saj, për arsye se ajo shkakton shkatërrim dhe kërcënim për jetën e civilëve në Jemen. Miratimi i Amerikës për rifillimin e shitjes së armëve ndaj Riadit paraqet - në një formë apo në një tjetër - mbështetjen e qeverisë së re amerikane për luftën e zhvilluar nga Arabia Saudite kundër fqinjit të saj, Jemenit.

Gjatë muajve të fundit, administrata Obama, nën presionin e qeverisë dhe mediave pas sulmit të kryer nga Arabia Saudite gjatë një funerali në Jemen, ndërmori pezullimin e shitjeve të municioneve dhe pajisjeve të rënda ushtarake ndaj Arabisë Saudite.

Nga ana e tij, Eric Pelofsky, drejtor i dosjes së Afrikës së Veriut dhe Jemenit gjatë mandatit të Obamës, tha: “Në qoftë se Shtetet e Bashkuara ende duan të ndërhyjnë si ndërmjetës për t’i gjetur konfliktit një fund jo-ushtarak, ato duhet të bëjnë dallim mes përpjekjeve tona për t’iu kundërvënë al-Kaedas në jug të Jemenit dhe përpjekjeve të koalicionit në Jemen.”

Përmendet se disa anëtarë të Senatit refuzuan të miratojnë shitjen e armëve dhe municioneve ndaj Arabisë Saudite, për shkak të rritjes së numrit të viktimave civile në sulmet e ndërmarra nga Arabia Saudite në Jemen.

Kritika ndërkombëtare

Në këtë kontekst, Kenneth Roth, drejtori i Human Rights Watch ka kritikuar të premten miratimin e qeverisë amerikane për t’i shitur Arabisë Saudite armë dhe municione.

Ai shkroi në Twitter: “Mbretëria e Arabisë Saudite shtyp gratë, promovon një version radikal të Islamit dhe vret civilët jemenas. Megjithatë, Donald Trump [president i Amerikës] rinis shitjen e armëve ndaj këtij vendi.”

Më parë, ligjvënësit në Parlamentin Evropian u kanë bërë thirrje vendeve të BE për të imponuar ndalimin e shitjes së armëve evropiane ndaj Arabisë Saudite, për shkak të sulmeve ajrore të aviacionit luftarak saudit mbi disa objekte në Jemen dhe bllokadën detare që u është imponuar brigjeve jemenase. Votimin e rezolutës e mbështetën 449 anëtarë, e kundërshtuan 36 anëtarë dhe abstenuan 78 të tjerë.

Gjithashtu, Amnesty International publikoi një raport, me anë të të cilit tregoi “ekzistencën e dëshmive të pakundërshtueshme rreth kryerjes së krimeve të luftës në Jemen” dhe u bën thirrje vendeve të mëdha për të ndaluar furnizimin e Arabisë Saudite me armë dhe pajisje të rënda.

Edhe Organizata e Kontrollit të [shitjes së] Armëve (Arms Control Association) ka kritikuar nënshkrimin e marrëveshjeve me Arabinë Saudite në fushën ushtarake dhe u kërkoi vendeve perëndimore të ndalojnë shitjet e armëve ndaj saj për shkak të rritjes së numrit të viktimave civile në sulmet e kryera nga Arabia Saudite mbi Jemen.

Anna MacDonald, drejtoresha e organizatës, tha se fuqitë e mëdha vazhdojnë shitjen e armëve ndaj Arabinë Saudite dhe se eksportuesit më të mëdhenj të armëve, që janë edhe nënshkruesit e Traktatit të Tregtimit të Armëve (Arms Trade Treaty), praktikojnë “format më të këqija të hipokrizisë.”

MacDonald shton: “Çdo ditë ne shohim ndikimin shkatërrues të shitjes së armëve dhe municioneve që përdoret kundër civilëve në Jemen”, duke kritikuar kështu shkeljen e disa vendeve të Traktatit të Tregtimit të Armëve.

Nga ana e saj, organizata bamirëse “Mjekë pa kufij” i përshkruan bombardimet e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite si “të rastësishme”.

Vlen të përmendet se Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje ushtarake dhe logjistike për forcat e koalicionit nën udhëheqjen e Arabisë Saudite, që nga fillimi i agresionit në Jemen. Duhet theksuar se sulmet saudite mbi Jemen kanë filluar dy vjet më parë, duke lënë pas mijëra të vdekur e të plagosur. Grupet e të drejtave të njeriut thonë se shumica e atyre që u vranë gjatë sulmeve ishin civilë.

⃰ Ky artikull është publikuar në rubrikën “Raporte” të gazetës “Al-Uakt”