Emiratet: Është i mundshëm përdorimi i forcës kundër Katarit
Shefi i diplomacisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, Anvar Gargash, tha të mërkurën se nuk ka për çka të bisedohet me Katarin, i cili është në qendër të krizës diplomatike në Gjirin Persik.
Ai në një intervistë për AP tha se të gjitha opsionet janë të mundshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës. Gargash përshëndeti përpjekjet e emirit të Kuvajtit që të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës me Katarin, të cilin fqinjët e kanë izoluar, por nuk deshi të përgjigjej në pyetjen nëse këtë do ta pranojnë Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump deklaroi sot se ai ka qenë mbështetës i vendimit të shteteve arabe, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Egjiptin, për të ndërprerë të gjitha lidhjet me Katarin mbi dyshimin se ka mbështetur grupet militante. Shtëpia e Bardhë më vonë raportoi se Trumpi kishte zhvilluar një bisedë telefonike me mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz al-Saud mbi eliminimin e promovimit të ekstremizmit nga çdo komb në rajon, sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë. Të hënën, Arabia Saudite, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Jemeni njoftuan se ndërprenë lidhjet diplomatike dhe mbyllnin kufijtë me Katarin, duke akuzuar shtetet e Gjirit për mbështetje të terrorizmit në Siri dhe Jemen në një kohë që Arabia Saudite njihet si përkrahësi kryesor i grupeve terroriste në mbarë botën.