Afganistani, territori i ri i ISIS-it
Disfata e grupit terrorist ISIS në Irak dhe Siri dhe ekzistenca e disa zonave për praninë e tij në Afganistan e ka bërë Afganistanin vendin më të përshtatshëm për aktivitetet dhe operacionet e këtij grupi terrorist.
Këto ditë, frymëmarrjet e terroristëve të ISIS në Siri dhe Irak janë të numëruara dhe terroristët po humbasin bazat e tyre njëra pas tjetrës. Prandaj, reagimi i grupit ISIS ndaj sfidës së reduktimit të territorit e ka shtyrë këtë grup të shikojë për gjetjen e territoreve të tjera. Një nga strategjitë e ISIS është të transferojë trupat e tij në Afganistan dhe të kërkojë ndihmë në disa pjesë të vendit. Afganistani ka një pozitë kryesore për ndryshimin e gjeografisë së ISIS. Me ndryshimin e ekuacionit të krizës në Siri dhe Irak në dëm të terroristëve takfiristë, një pjesë e forcave të ISIS në Afganistan infiltruan në zonat e ndryshme të Afganistanit duke rrezikuar sigurinë e këtyre zonave. Mediat në botën arabe nuk kanë lënë në heshtje çështjen e pranisë së ISIS në Afganistan dhe këto ditë ato po publikojnë analiza mbi këtë çështje. Gazeta egjiptiane Al-Ahram, gazeta Al Arab që botohet në Londër dhe faqja arabe e Deutsche Welle janë përqendruar në praninë e ISIS në Afganistan dhe në tensionet që po nxiten nga ky grup. Sipas gazetës Al-Ahram, Afganistani ende nuk ka përfunduar konfliktin me talebanët, prandaj Afganistani është bërë një vend i rëndësishëm në operacionin ushtarak që shumë aktivistë të huaj po e përdorin për të arritur qëllimet e tyre specifike. Kohët e fundit, aktivitetet terroriste të ISIS-it në Afganistan janë rritur ndjeshëm dhe ky grup terrorist ka kryer vazhdimisht sulme terroriste në zonën diplomatike të Kabulit, duke vrarë dhe plagosur mbi 400 njerëz. Përveç kësaj, ISIS synon shumë qendra shi’ite, qendra sigurie dhe baza ushtarake në Afganistan, duke e bërë më të keqe situatën në këtë vend. ISIS është goditur rëndë nga Siria dhe Iraku, prandaj grupi terrorist ka kërkuar një vend të ri dhe e ka bërë Afganistanin tokë të frytshme për aktivitetet e tijj. Sipas gazetës Al-Arabi, që nga ngritja e ISIS në Afganistan në vitin 2015, elementë të këtij grupi sulmojnë vazhdimisht myslimanët shi’itë dhe xhamitë tyre. Vëzhguesit thonë se luftëtarët e ISIS në Afganistan janë afganë dhe pakistanezë. Disa prej anëtarëve të këtij grupi janë të varur nga grupe rebele si Lëvizja Islame e Uzbekistanit. Fillimisht, elementët e ISIS u dislokuan në pjesën lindore të vendit. Por tani ata kanë kontrolluar më shumë territore në pjesën veriore, veçanërisht në sajë të pranisë së Lëvizjes Islamike të Uzbekistanit. Sipas faqes së Deutsche Welle në gjuhën arabe, raportet dhe deklaratat e lëshuara më parë nga Shtetet e Bashkuara tregojnë se në Afganistan ka rreth 600-800 elementë të ISIS. Qeveria afgane dhe ushtria amerikane njoftuan në vitin 2014 se ISIS po synon të rekrutojë kryekomandantët afganë dhe po shfrytëzon vakumin dhe dobësinë e talebanëve. Grupi ISIS ka qenë i përfshirë në zonën Ashin të provincës Nangarhar, në Afganistanin lindor dhe ka qenë prej kohësh aktiv në këtë rajon. Situata në këtë rajon është e ngjashme me rajonet e kontrolluara nga ISIS në Irak dhe Siri. ISIS në këtë zonë ekzekuton armiqtë dhe plaçkit pasurinë e njerëzve duke përhapur panikun dhe terrorin në këto zona. Sipas gazetës Al-Arabi, kushtet e rënda ekonomike dhe përhapja e papunësisë tek të rinjtë në Afganistan janë në favor të grupeve të armatosura dhe sidomos të ISIS-it. Sipas Muhamed Homajun, një ish anëtar i ISIS, ky grup është një nga grupet më të pasura terroriste në Afganistan. Shumë të rinj që i bashkohen ISIS-it kërkojnë paga të qëndrueshme dhe më të larta se pagat e anëtarëve të talebanëve. Prandaj, ata bashkohen me ISIS.