Plani i Iranit për zgjidhjen paqësore të krizës në Jemen
Ministri i Jashtëm iranian në një mesazh parashtroi planin paqësor të katër pikave të Iranit, i cili iu dorëzua Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së më 17 prill 2015 për të zgjidhur krizën në Jemen.
"Në vitin 2015, menjëherë pasi koalicioni saudit filloi luftën kundër Jemenit, i shkruajta Sekretarit të Përgjithshëm të OKB duke ofruar një plan paqeje prej 4 pikash: Armëpushim; Ndihma humanitare; Dialogu mes palëve jemenase; Qeverisja gjithëpërfshirëse. Pas më shumë se 2.5 vjet dhe kur shumë jetë janë humbur, ky plan është ende i vlefshëm sot, "shkroi të enjten Muhamed Xhavad Zarif në llogarinë e tij në Twitter. Në mesazhin e shefit të diplomacisë së Iranit dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së më 17 prill 2015, thuhet: Forcat e huaja ushtarake kryesisht kanë në shënjestër infrastruktura thjesht civile në Jemen, duke shkatërruar ndër të tjera, spitale, shkolla, rrugë, fabrika ushqimore dhe termocentrale, duke i privuar kështu civilët nga nevojat më të domosdoshme. Ata gjithashtu kanë synuar pa dallim zonat rezidenciale, duke përfshirë kampet e refugjatëve, duke vrarë dhe plagosur civilë të pafajshëm, në veçanti gratë dhe fëmijët. Situata kritike është duke u përshkallëzuar dhe kriza humanitare në Jemen po i afrohet dimensioneve katastrofike. Kjo mund të rezultojë në përkeqësim të mëtejshëm të rrethanave tashmë të tensionuara në një rajon që është rrënuar nga një prej llojeve më barbare të ekstremizmit dhe nga një fushatë e terroristëve të huaj. Republika Islamike e Iranit përsërit se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. E vetmja mënyrë për të rivendosur paqen dhe stabilitetin është që të lejohen të gjitha partitë jemenase të krijojnë, pa ndonjë ndërhyrje të huaj, qeverinë e tyre të unitetit kombëtar. Për këtë qëllim, Republika Islamike e Iranit beson se të gjitha përpjekjet, veçanërisht ato të Kombeve të Bashkuara, duhet të udhëhiqen, në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare humanitare, nga objektivat e mëposhtme:
1. Armëpushimi dhe një ndërprerje e menjëhershme e të gjitha sulmeve ushtarake të huaja;
2. Ndihma urgjente humanitare dhe mjekësore për popullin e Jemenit;
3. Rifillimi i dialogut kombëtar, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha partive politike dhe grupeve shoqërore jemenase;
4. Krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse të unitetit kombëtar.