Rrëzohet një helikopter i Turqisë në Siri
Burimet kurde në veri të Sirisë njoftuan rrëzimin e një helikopteri të ushtrisë turke.
Lajmi bëhet i ditur nga agjencia Sputnik sipas të cilës ditën e enjte një helikopter i ushtrisë turke është rrëzuar në rajonin Afrin në afërsi të kufirit të Turqisë. Helikopteri është rrëzuar në distancën mes forcave turke dhe forcave kurde dhe deri tani nuk dihet fati i ekuipazhit të tij. Ndërkohë thuhet se në qytetin Afrin janë dërguar ndihmat e para humanitare. Kontingjenti i parë me ndihma humanitare të Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë ka arritur në Afrin në veri të Sirisë. Agjencia e lajmeve Kurd Press njoftoi se kontingjenti i parë me ndihma humanitare të Gjysmëhënës së Kuqe të Sirisë të enjten arriti në Siri në kohën kur para kësaj, Turqia ka penguar hyrjen e kontingjenteve të tjera me ndihma humanitare në këtë rajon. Ky kontingjent është përgatitur dhe mbikëqyrur nga Gjysmëhëna e Kuqe e Sirisë dhe nga Kryqi Ndërkombëtar Humanitar dhe përbëhet nga 28 kamionë që transportojnë ndihma ushqimore, mjekësore dhe artikuj të tjerë emergjent me qëllim që të ndihmohen banorët e rajonit Afrin përball pasojave të agresionit ushtarak të Turqisë kundër këtij rajoni. Ndërkohë disa burime lokale kanë njoftuar se ushtria e Turqisë ka sulmuar kontingjentin e ndihmave humanitare në rajonin Mirmin i cili kishte destinacion rajonin Afrin.