Emiratet e Bashkuara Arabe rihapin ambasadën në Damask
Emiratet e Bashkuara Arabe do të rihapin të enjten ambasadën në Damask, një hap ky që pritet të shënojë mbështetje të madhe diplomatike për qeverinë e presidentit sirian Bashar Asad nga shteti arab, aleat i Shteteve të Bashkuara, i cili në fillim ka financuar grupet terroriste-takfiriste në luftën e Sirisë.
Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe është mbyllur pasi kanë nisur konfliktet e para në Siri më 2011. Televizioni saudit, al Arabija ka konfirmuar hapjen e kësaj ambasade.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë një nga shumë shtetet arabe që në fillim kanë mbështetur grupet e armatosura terroriste-takfiriste kundër qeverisë së presidentit sirian Asad, ndonëse roli i këtij shteti në konfliktin në Siri ka qenë më pak i rëndësishëm në krahasim me atë të Arabisë Saudite, Katarit apo Turqisë, transmeton Reuters.
Pas pothuajse tetë vjetëve në luftë, ushtria e Sirisë ka arritur të fitojë kontrollin në Siri duke u mbështetur fuqishëm nga Rusia, Irani dhe forcat e rezistencës libaneze Hezbollah.
Përveç tjerash edhe kufiri në mes të Sirisë dhe Jordanisë, një tjetër aleati të SHBA-së, që ka mbështetur rebelët është hapur në tetor të këtij viti.
Sirisë përndryshe i është pezulluar anëtarësimi në Ligën Arabe më 2011, mirëpo një diplomat arab, duke folur në kushte anonimiteti i ka thënë agjencisë së lajmeve Reuters një javë më parë se beson që shumica dëshirojnë që Siria të kthehet në Ligë, mirëpo ende nuk është bërë një propozim zyrtar.