Nasrallah denoncon gënjeshtrat e Netanjahut
Në një fjalim të hënën, më 4 shkurt, sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut libanez Sejed Hasan Nasrallah diskutoi çështje të ndryshme vendore, rajonale dhe ndërkombëtare.
Ky ishte në fakt fjalimi i parë i Nasrallahut, pasi u bë e njohur përbërja e qeverisë së re libaneze, me shumicën e portofoleve ministrore për Hezbollahun dhe aleatët e tij. Në fjalimin e tij, Nasrallah veçanërisht reagoi ndaj pohimeve amerikane se ministri i ri libanez i Shëndetësisë është një njeri i afërt me boshtin e Rezistencës. "Ministria e Shëndetësisë u përket të gjithë libanezëve. Ne nuk kemi paraqitur ndonjë ministër sipas lidhjes së tij me ndonjë parti apo grup; ne besojmë fuqimisht se e mira e vendit vjen përpara çdo gjëje tjetër", deklaroi sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut. Nasrallah gjithashtu denoncoi fjalët e pabaza dhe mashtruese të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu se "qeveria e re e Libanit është qeveria e Hezbollahut". "Një nga objektivat kryesore të Netanjahut, nëpërmjet këtyre gënjeshtrave, është të nxisë Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe vendet e Gjirit Persik, kundër qeverisë libaneze. Këto pretendime synojnë të krijojnë armiq për Hezbollahun brenda Libanit dhe të nxisin tensionet midis grupeve dhe rrymave të ndryshme politike libaneze ", tha Nasrallah, i cili shtoi: "Në realitet, qeveria libaneze përbëhet nga disa rryma politike, përfshirë Hezbollahun. Prania jonë në qeverisje sot është më e fortë dhe më e rëndësishme se çdo herë tjetër. " Në prag të 40 vjetorit të Revolucionit Islamik në Iran, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut libanez gjithashtu theksoi rëndësinë historike të këtij revolucioni duke thënë: "Ne jemi të sigurt se Revolucioni Islamik në Iran nën udhëheqjen e Imam Khomeinit (r.a) ka ndryshuar rrjedhën e historisë. Ky revolucion lidhet drejtpërdrejt me fatin e Palestinës, Rezistencës dhe të rajonit. Nasrallahu gjithashtu u bëri thirrje të gjithë banorëve të rajonit Dahieh në jug të Bejrutit, të demonstrojnë një pjesëmarrje të madhe në ceremonitë e 40 vjetorit të fitores së Revolucionit Islamik, me "një prani të denjë për 40 vjet fitore". Ai shtoi se përkujtimi i 40 vjetorit të fitores së Revolucionit Islamik shënon mbi të gjitha, dështimin e të gjitha planeve dhe komploteve të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.