Fabrika e raketave precize të Hezbollahut frikëson Izraelin
Deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut lidhur me ndërtimin e fabrikave të raketave precize kanë alarmuar dhe shqetësuar shërbimet e inteligjencës të regjimit izraelit.
Nuk është për t'u çuditur që Izraeli është i shqetësuar pas deklaratave të Sejed Hasan Nasrallah mbi raketat e përpikta të Hezbollahut, veçanërisht pasi këto deklarata bëhen në përgjigje të presionit të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara. As nuk është për t'u habitur që kreu i inteligjencës ushtarake izraelite, gjenerali Tamir Hyman, konfirmon gjendjen konfuze në të cilën qëndron regjimi i Tel Avivit. "Aktualisht, informacioni ynë mbi aftësitë e raketave të Hezbollahut nuk është i saktë," tha ai. Në të vërtetë, deklaratat e Sejed Hassan Nasrallah rreth aftësisë së Hezbollahut për të ndërtuar fabrika të raketave precize i kanë dhënë një goditje të drejtpërdrejtë shërbimit të inteligjencës ushtarake të Izraelit, i cili kërkon të bëjë një inventar të objektivave dhe aftësive të armikut. Duket sikur i gjithë stafi i Komandës së Inteligjencës Ushtarake izraelite ndjen se ata janë goditur nga Nasrallahu. Deklaratat e Gjeneralit Hyman treguan se pas vlerësimit të fjalimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Hezbollahut, inteligjenca ushtarake e Izraelit po kërkon mënyra për t'iu përgjigjur mesazheve të përmbajtura në fjalimin e Nasrallahut. Udhëheqësit izraelitë më në fund kanë ardhur në përfundimin se, për të kontrolluar efektet e mesazhit të Nasrallahut, i cili do të zhvendosë balancën e forcës në favor të Hezbollahut, duhet të kërkohet ndërmjetësimi amerikan. Është e qartë se mesazhet e përmbajtura në fjalimin e Nasrallahut janë shumë të rënda për zyrtarët izraelitë të sigurisë të cilët nuk kanë shumë opsione para tyre. Autoritetet e Tel Avivit kanë vetëm dy opsione para tyre, opsione që janë të paarritshme: ose ti injorojnë fjalët e Nasrallahut ose ti vërtetojnë ato. Inteligjenca ushtarake izraelite e ka kuptuar se secili nga opsionet e saj do të ketë efekte negative mbi ekzistencën e Izraelit dhe ekuacionet e rajonit. Duke marrë parasysh deklaratat e qarta dhe të drejtpërdrejta të Nasrallahut për ekuacionet rajonale, shpjegimet e gjeneralit Itzik Turjman, kreu i seksionit operacional të ushtrisë izraelite, tregojnë se sionistët i kushtojnë vëmendje të madhe kësaj lloj aftësie. Ai kishte deklaruar se parimet themelore ekzistojnë në çdo vend. Sipas tij, izraelitët konsiderojnë se burimet e energjisë, rezerervat e karburantit, fabrikat e armëve dhe popullsia nuk duhet të ekspozohen ndaj rreziqeve. Sipas tij, 20 raketa mund të prishin performancën e vendit në këto zona. Në këtë kuadër, Wall Street Journal, duke cituar burime zyrtare izraelite të shqetësuara për efektet e raketave precize të Hezbollahut, shkruan se Hezbollahu mund të sulmojë objektivat izraelite dhe t'i nxjerrë në plan të dytë përpjekjet e tyre për të mbrojtur kufijtë dhe qytetet veriore të Palestinës së pushtuar. Prandaj, duket se mesazhet e Nasrallahut kanë detyruar shërbimet e inteligjencës në Tel Aviv për të gjetur alternativa ndaj dy opsioneve të lartpërmendura, sepse efekti i konfuzionit ndaj një realiteti ndonjëherë është më i madh se vetë realiteti.