Nasrallah: I gjithë Izraeli është brenda rrezes së raketave të Hezbollahut
Sekretari i përgjithshëm i lëvizjes së rezistencës libaneze Hezbollah deklaroi se gjithë Izraeli është brenda rrezes së raketave të Hezbollahut, duke shtuar se lëvizja e rezistencës është më e fortë se kurrë, pavarësisht nga sanksionet perëndimore.
Sejed Hasan Nasrallah e bëri këtë deklaratë të premten gjatë një interviste televizive me televizionin al-Manar me rastin e 13 vjetorit të Luftës së Dytë të Libanit në vitin 2006. "Një kohë thoshim se ne mund të godasim objektivat në jug të Haifas. Sot mund të themi se nëse Izraeli ka objekte në jug të Eilat, atëherë mund t'i godasim edhe ato. I gjithë Izraeli është nën rrezen e raketave tona", tha ai. Lideri i Hezbollahut, duke prezantuar aftësitë e zhvilluara të grupit të rezistencës libaneze, paralajmëroi se në rast të ndonjë konfrontimi, regjimi sionist do të shkojë në "pragun e zhdukjes dhe ai e di këtë". "Ne kemi një numër më të madh raketash dhe kemi raketa të sakta që nuk i kemi pasur në vitin 2006. Ne gjithashtu kemi një njësi të madhe dhe të fuqishme të dronëve", tha më tej shefi i Hezbollahut. Pastaj, ai tregoi në kamera një hartë të territoreve të okupuara nga Izraeli, duke treguar për objektiva të mundshëm për sulmet e Hezbollahut. "Është një sipërfaqe prej 70 kilometrash e gjatë dhe 20 kilometra e gjerë ... ne mund ta shkatërrojmë të gjithën," tha Nasrallah. Megjithatë, ai tha se një luftë me Izraelin nuk ka gjasa të ndodhë së shpejti, duke theksuar se Izraeli nuk do të rrezikojë një luftë tjetër në Liban, në sajë të forcës mbrojtëse të Hezbollahut.