Presidenti i Libanit takohet me protestuesit
Mishel Aun, presidenti i Libanit, të premten pasdite është takuar me një grup të protestuesve në rrugën e pallatit presidencial në Bejrut.
Agjencia e lajmeve Tasnim njoftoi se Mishel Aun në takim me protestuesit libanezë, deklaroi: “Qeveria ka përgatitur një varg masash për t’iu përgjigjur kërkesave të protestuesve dhe për të ulur nivelin e ankesave të tyre. Që nga koha kur kam marrë presidencën e këtij vendi, kam bërë të gjitha përpjekjet për zbatimin e reformave të nevojshme dhe për të luftuar kundër korrupsionit dhe për zgjidhjen e problemeve të tjera”.
Qytetarët e Bejrutit dhe të disa qyteteve të tjera të Libanit që nga e dita e enjte kanë dalë nëpër rrugë dha kanë protestuar kundër shtimit të taksave dhe këto protesta po vazhdojnë për të tretën ditë me radhë.
Kanali televiziv Al Mejadin në një raport të tij ka njoftuar se të premten në mbrëmje protestuesit në qendër të Bejrutit, kryeqytetit të Libanit janë përleshur me policinë dhe forcat speciale janë detyruar të përdorin gaz lotsjellës dhe ujin me presion për t’i shpërndarë protestuesit.