Jemen/ Përse trokasin në derën e Teheranit?
Ndërsa bota përballet me krizën e koronavirusit dhe pasojat e saj ekonomike, prapaskenat politike të lidhura me luftën jemenase po zhvillohen me qëllim të shpëtimit të lëkurës së Arabisë Saudite.
Gazeta libaneze Al-Akhbar botoi kohët e fundit një artikull në të cilin fliste për intensifikimin e konsultimeve diplomatike nga Uashingtoni, Londra dhe i Dërguari i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martin Griffiths, për luftën kundër popullit jemenas. Al-Akhbar beson se të gjitha këto akte janë për shkak të operacioneve në terren të forcave jemenase në lindje të vendit në veçanti pranë provincës naftëmbajtëse Maarib, operacione vazhdimi i të cilave mund të çojë në fitoren strategjike të Sanaas. "Megjithë dështimin e negociatave të mëparshme, aleatët e Arabisë Saudite vazhdojnë të konsultohen. Zhvillimet e fundit kanë bërë që Martin Griffiths të ndryshojë politikën dhe metodën e tij të bisedimeve. Më parë, metoda e tij bazohej në vizionin e koalicionit agresor saudit dhe të vendeve perëndimore, i cili konsistonte në prishjen e lidhjeve midis Ansarallah dhe boshtit të Rezistencës me qëllim të izolimit të Sanaas dhe ndarjes së Jemenit. Kjo është arsyeja pse z. Griffiths u detyrua të trokiste në Teheran", thekson artikulli i gazetës libaneze. Në të vërtetë, në atë kohë Londra pretendoi se çështja jemenase kishte të bënte vetëm me Arabinë Saudite; kjo është arsyeja pse i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB ka kontaktuar Iranin përmes kanaleve indirekte dhe joformale. Por këtë herë, sipas Al-Akhbar, Griffiths kontaktoi autoritetet e Teheranit pasi informoi Arabinë Saudite dhe vendet perëndimore. Gjithçka sugjeron se zhvillimet në terren kanë bërë që i dërguari special i OKB të konsultohet drejtpërdrejt me zyrtarët iranianë; është akoma shumë herët për të folur për një ndryshim të strategjive, por është e sigurt që ky kontakt ndodhi pas dështimit të konsultimeve me Sanaan dhe dështimin e boshtit saudito-perëndimor për të pushtuar kryeqytetin jemenas.