Mercenarët e Ankarasë përfshihen në konfliktin Armeni-Azerbajxhan?
Ambasadori i Armenisë në Rusi ka pretenduar se Turqia ka dërguar rreth 4,000 luftëtarë nga Siria veriore në Azerbajxhan dhe se ata po merrnin pjesë në luftime.
Ndërkohë, Ministria e jashtme e Armenisë pretendoi se ‘ekspertët ushtarakë turq po luftojnë krah për krah me Azerbajxhanin, të cilët po përdorin armë turke, duke përfshirë edhe dronë dhe aeroplanë lufte’. Situata në terren tregon qartë se njerëzit në Nagorni-Karabak po luftojnë kundër ‘një aleance Turko-Azerbajxhanase’, thuhet në deklaratë. Të Dielën, i ashtuquajturi Observatori i të Drejtave të Njeriut në Siri, i lidhur me terroristët që kundërshtojnë qeverinë e Bashar Asadit, njoftoi se Turqia kishte transferuar grupin e parë të mercenarëve të saj të armatosur sirianë në territorin e Republikës së Azerbajxhanit, si rezultat i përshkallëzimeve ushtarake midis ushtrive azerbajxhanase dhe armene. Ndërkohë, disa aktivistë armenë kanë botuar imazhe të elementëve të armatosur që brohorisnin parulla në arabisht dhe me automjete shkonin drejt frontit të luftës, ku ushtria azerbajxhanase përplaset me forcat armene. 20 kamionë po transportonin terroristët sirianë në Azerbajxhan. Sidoqoftë, një ndihmës i presidentit të Azerbajxhanit i quajti akuzat “një provokim tjetër nga pala armene dhe trillime të plota”. Luftimet kanë shpërthyer edhe një herë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit, dy ish republika të Bashkimit Sovjetik në rajonin e Kaukazit. Në zemër të konfliktit dekada të vjetër është rajoni i Nagorni-Karabakut. Ai është njohur si pjesë e Azerbajxhanit, por kontrollohet nga armenët etnikë. Konflikti mund të përfshijë gjithashtu Rusinë, një aleat i Armenisë që ka një bazë ushtarake në vend dhe të sjellë kaos në furnizimet globale të naftës dhe gazit që kalojnë përmes tubacioneve në rajonin e Kaukazit të Jugut. Një zëdhënës i Kremlinit u bëri thirrje Azerbajxhanit dhe Armenisë që të ndalojnë çdo aktivitet ushtarak dhe tha se luftimet ishin një arsye për shqetësim serioz në Moskë. Në anën tjetër, udhëheqësi turk Rexhep Tajip Erdogan premtoi mbështetje për aleatin tradicional Azerbajxhanin, tha se Armenia ishte “kërcënimi më i madh për paqen në rajon”. Në vitin 2019, Armenia dhe Azerbajxhani lëshuan një deklaratë duke deklaruar nevojën për “marrjen e masave konkrete për të përgatitur popullatat për paqe”. Megjithatë akoma, asgjë nuk ka dalë nga ato fjalë. Është e paqartë se cilat nga vendet filluan dhunën e fundit, por tensionet kanë qenë të larta për muaj, pasi përplasjet në korrik lanë viktima në të dy palët. Prej 30 vjetësh ende zien konflikti mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për rajonin e Nagorni Karabakut. Tani sërish kanë filluar luftimet, me viktima nga të dyja palët. Këto konsiderohen si luftimet më të ashpra që prej 30 vjetësh. Luftimet kanë shkaktuar reagime të forta ndërkombëtare. Rusia u ka bërë thirrje palëve për armëpushim të menjëhershëm në rajon. Kurse Franca ka apeluar, ashtu si BE, që si Armenia edhe Azerbajxhani të kthehen menjëherë në tryezën e bisedimeve. Ndërkombëtarët kërkojnë armëpushim të menjëhershëm. Pas fillimit të luftimeve të ashpra në rajonin e Nagorni Karabakut të dielën, të dyja vendet kanë shpallur tani gjendjen e luftës. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres është shprehur “tejet i shqetësuar” për rindezjen e konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit. Ai kërkoi “me urgjencë” nga të dyja palët të ndalin menjëherë veprimet ushtarake dhe “pa vonesë” të rifillojnë bisedimet. Nën drejtimin e Francës, Rusisë dhe SHBA, grupi i ashtuquajtur, grupi i Minskut i OSBE përpiqet të negociojë që nga viti 1994, por bisedimet megjithatë nuk kanë sjellë rezultat.