Kryeministri i Rusisë kërkon ndërprerjen urgjente të luftës në Karabak
Mikhail Mishustin, kryeministri i Rusisë, në takimin e ditës së premte në komisionin ndërqeveritar të Unionit Ekonomik Euro-Azi, ka deklaruar se është e nevojshme që të ndalet menjëherë lufta në rajonin Nagorno Karabk.
Agjencia e lajmeve IRNA njoftoi se takimi i 23-të i komisionit ndërqeveritar të Unionit Ekonomik të Euro-Azisë u zhvillua sot në Irevan, kryeqytetin e Armenisë.
Mikhail Mishustin në këtë takim ka theksuar: “Mosmarrëveshjet mes të dy palëve duhet të zgjidhen nëpërmjet rrugëve të negociatave dhe dialogut. Moska përdor të gjitha kapacitetet e veta për zgjidhjen e mosmarrëveshjet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit në konfliktin e rajonit Nagorno Karabak”.
Rusia ka ofruar të ndërmjetësojë armëpushimin mes Azerbajxhanit dhe Armenisë për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm në provincën e Karabakut.
Ministria e Jashtme ruse tha se kryediplomatët e vendeve konfirmuan pjesëmarrjen në Moskë pas ndërhyrjes së presidentit Vladimir Putin.
Presidenti rus ftoi të enjten, 8 tetor, palët ta ndërpresin konfliktin për arsye humanitare, për të mundësuar shkëmbimin e të burgosurve dhe të rënëve të luftës në territoret përkatëse.
Me gjithë përpjekjet për diplomaci, konfrontimet në lartësirën e Karabakut nuk pushuan as të premten, kur bilanci zyrtar i jetëve të humbura kaloi shifrën 400.