Virusi Korona vazhdon të pushtojë Evropën
https://parstoday.ir/sq/news/world-i100731-virusi_korona_vazhdon_të_pushtojë_evropën
Virusi korona vijon ta zgjerojë hartën e infeksionit në botë dhe shumë nga vendet që i shpëtuan pandemisë në fillim, tani përballen me valën e dytë të saj.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 14, 2020 09:01 Europe/Tirane
  • Virusi Korona vazhdon të pushtojë Evropën

Virusi korona vijon ta zgjerojë hartën e infeksionit në botë dhe shumë nga vendet që i shpëtuan pandemisë në fillim, tani përballen me valën e dytë të saj.

Shpresat për vaksinën antikovid u shuan shkurtimisht të martën kur dy kompani amerikane njoftuan pezullimin e testeve klinike pasi një pacient u sëmur në mënyrë të pashpjegueshme.

Në botë, koronavirusi i ri u ka marrë jetën mbi 1 milionë vetave dhe ka infektuar 37 milionë të tjerë, dhe ekspertët e OBSH-së i druhen stinës së vjeshtës dhe dimrit që po afron.

Republika Çeke është vendi europian me numrin më të lartë të të infektuarve për 100 mijë banorë, ndaj bar-restorantet janë mbyllur përkohësisht, njësoj si në Holandë, ku maskat janë bërë të detyrueshme në të gjitha ambientet e brendshme për moshat mbi 13 vjeç.

Ky detyrim aplikohet në ambientet jashtë edhe brenda tashmë në Itali.

Presidenti francez, Emanuel Makron, pritet të mërkurën të shpallë masa të reja që me gjasë do të sjellin kyçjen në mbrëmje të qyteteve vatra të epidemisë, si Parisi.

Qeveria britanike tha se e ka humbur kontrollin e pandemisë dhe vendit do i duhen të paktën 2-3 javë izolim për ta mbyllur qarkun e infeksionit.

Kancelarja Angela Merkel tha se gjendja paraqitet serioze edhe në Gjermani, duke raportuar të mërkurën mbi 5 mijë raste të reja me koronavirus, shifra më e lartë që nga muaji prill, edhe pse jo aq sa Rusia e cila njoftoi për 14 mijë të infektuar të rinj dhe mbi 240 viktima në 24 orë.

Në Amerikë, rastet e diagnostikuara po rriten me mbi 50 mijë brenda ditës ndërsa në bilanc u shtuan më shumë se 800 të vdekur të tjerë, duke e çuar në 215 mijë gjithsej numrin e viktimave.

Epiqendra fillestare e pandemisë, Kina, ndërkohë, njoftoi vetëm 20 raste të reja, nga të cilat 6 brenda vendit, çka detyroi autoritetet të nisin testimet kundër koronavirusit të ri për 9 milionë banorët e një qyteti ku është zbuluar vatra e re e infeksionit.