Covid-19 vazhdon të përhapet gjithnjë e më shumë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i100938-covid_19_vazhdon_të_përhapet_gjithnjë_e_më_shumë
Spanja dhe Franca janë dy vendet e para europiane që kanë kaluar pragun e 1 milion të infektuarve nga koronavirusi i ri.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Tetor 23, 2020 07:11 Europe/Tirane
  • Covid-19 vazhdon të përhapet gjithnjë e më shumë

Spanja dhe Franca janë dy vendet e para europiane që kanë kaluar pragun e 1 milion të infektuarve nga koronavirusi i ri.

 Pasi shënoi rekordin e 500 mijë rasteve 6 javë më parë, Madridi raportoi i pari të mërkurën mbi 1 milion e 5 mijë të prekur gjithsej, ndërsa 575 vdekje të reja në një javë e çuan mbi 34,300 bilancin tragjik në vend.  Qeveria spanjolle po mendon të risjellë në fuqi gjendjen e jashtëzakonshme por opozita që ka vendimmarrjen thotë se ekonomia nuk do e përballonte dot.  Qytetet e mëdha franceze po e aplikojnë shtetrrethimin prej disa netësh.  Situatë e rënduar paraqitet edhe në Gjermaninë fqinje, ku u shënuan 10 mijë raste të reja pozitive me Covid-19, mes tyre edhe ministri i Shëndetësisë.  Vala e infeksionit u përplas gjatë ditës në Holandë, në Poloni dhe në Britaninë e Madhe, por më me shpejtësi vazhdon të përhapet në Republikën Çeke ku shumica e dyqaneve dhe shërbimeve janë pezulluar tashmë.  Rekorde të reja ditore po regjistron edhe Italia.  Rajoni i Lacios dhe Roma raportohet se nga e premtja do vendosin ndalimqarkullimin me orar, nga mesnata deri në orën 5 të mëngjesit.  Nga vendet e rajonit, gjendja e jashtëzakonshme ka hyrë në fuqi në Slloveni për 1 muaj. Kroacia po përjeton nivele të larta ditore të infeksionit ndërsa në Greqinë fqinje, pas Kozanit, edhe rajoni verior i Kastories do i nënshtrohet izolimit nga dita e premte teksa vala e infeksionit po merr përmasa dramatike.  Kontinenti europian në total numëron mbi 6 milion të diagnostikuar një herë me kovidin-19, ndërsa në 220 mijë kanë shkuar jetët e humbura.  5 shtetet e vetme që e kanë kaluar deri tani pragun e 1 milion të infektuarve janë SHBA-ja, India, Brazili, Rusia dhe Argjentina.