Trump vazhdon me reagimet e tij pas humbjes në zgjedhje
Presidenti Donald Trump, i cili ditët e fundit e ka përmendur shumë pak pandeminë u ka kërkuar mbështetësve të rikthejnë zgjedhjet e nëntorit.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të enjten tha se ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Zgjedhor konfirmon fitoren e Joe Bidenit. "Padyshim që do ta bëj dhe ju e dini këtë", u përgjigj Trump kur një gazetar e pyeti nëse do të linte pushtetin nëse Biden shpallet zyrtarisht fitues i garës presidenciale. Por "nëse e bëjnë, ata do të bëjnë një gabim" dhe "do të jetë një gjë shumë e vështirë për të pranuar", shtoi ai. Trump i bëri këto deklarata pasi u foli trupave amerikane gjatë fjalimit të tij tradicional të Ditës së Falënderimeve drejtuar ushtrisë amerikane. Në deklaratat e tij, Trump vazhdoi të pretendonte se ka "mashtrim masiv" në zgjedhjet dhe u zotua të vazhdojë luftën e tij ligjore. Kolegji Zgjedhor do të mblidhet zyrtarisht për të hedhur votat e tyre më 14 dhjetor. Deklaratat e Trumpit erdhën pasi shtetet federale Georgia, Michigan, Pennsylvania dhe Nevada vërtetuan rezultatet e tyre të zgjedhjeve, duke i dhënë një goditje Trumpit, i cili pretendon se zgjedhjet ishin të manipuluara. Të hënën, Trump autorizoi ekipin e tij për të filluar "protokollet fillestare" për një tranzicion në administratën e Bidenit.