Kalifornia shpall fitoren e Biden
Kalifornia ka shpallur fitoren e kaniddatit demokrat Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale.
Ndërkohë teksa autoritetet elektorale në Xhorxhia konfirmuan se rinumërimi i dytë i votave në këtë shtet i dha sërish fitoren kandidatit demokrat Joe Biden, një nga zyrtarët më të lartë zgjedhor i bëri thirrje presidentit Trump që t’u thotë mbështetësve të tij se ai humbi në një garë të ndershme, në mënyrë që të shmanget dhuna. “Zoti president, ju e keni humbur shtetin e Xhorxhias. Ne po hetojmë gjithsesi, sepse ka gjithmonë një shans dhe është e drejta juaj t’u drejtoheni gjykatave por mesa duket ju nuk keni aftësinë të bëni atë që duhet, të reshtni së nxituri njerëzit të kryejnë akte dhune,” – u shpreh Gabriel Sterling, zyrtar republikan për menaxhimin e sistemit të votimit. Ai theksoi gjithashtu se kjo situatë duhet të marrë fund. Sterling denoncoi kërcënimet që u janë bërë autoriteteve elektorale të shtetit të tij dhe familjarëve të tyre, disa prej të cilëve janë marrë në mbrojtje nga policia. Autoritetet në shtetin e Xhorxhias i kanë hedhur poshtë duke i cilësuar si false deklaratat për shkelje të kryera gjatë zgjedhjeve të 3 nëntorit. Ato kanë nënvizuar se hetime të shumta nuk kanë gjetur prova për pretendimet e presidentit Trump. Gjithashtu, konstatimet e tyre janë në të njëjtën linjë me komentet e bëra nga prokurori i përgjithshëm William Barr, se Departamenti i Drejtësisë nuk kishte gjetur prova për manipulime në masë.