Përhapja e variantit të ri të Koronavirusit në Angli
Organizata Botërore e Shëndetësisë u shpreh se është në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarë të Mbretërisë së Bashkuar për shfaqjen e një varianti të ri të coronavirusit.
Varianti i ri po përhapet më shpejt se versioni origjinal, por nuk besohet të jetë më vdekjeprurës, bëjnë me dije autoritetet britanike. Pjesë të mëdha të Anglisë jug-lindore, përfshirë Londrën, tani janë nën një nivel të ri, më të rreptë të kufizimeve në një përpjekje për të frenuar virusin që përhapet me shpejtësi. Nuk ka asnjë provë që sugjeron se varianti i ri reagon ndryshe ndaj vaksinave. Për shkak të situatës së re në Britani, Holanda vendosi të ndalojë fluturimet me Mbretërinë e Bashkuar. Vendimi do të qëndrojë në fuqi deri në 1 janar, tha qeveria Holandeze. Masa vjen pas marrjes së mostrave të një rasti në Holandë gjatë këtij muaji kur u zbulua i njëjti variant i ri i koronavirusit që u gjet në Mbretërinë e Bashkuar. Qeveria Holandeze gjithashtu tha se do të punojë me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në ditët në vijim për të "eksploruar hapësirën për kufizimin e mëtejshëm të rrezikut të llojit të ri të virusit”. Megjithëse ka "pasiguri të konsiderueshme", Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se varianti i ri mund të jetë deri në 70% më i transmetueshëm se ai i vjetri. Zyrtarët thonë se nuk ka asnjë provë aktuale për të sugjeruar se varianti i ri shkakton një shkallë më të lartë të vdekshmërisë ose që ndikohet ndryshe nga vaksinat dhe trajtimet. Shtetet europiane do të nisin vaksinimin kundër koronavirusit më 27 dhjetor, ka konfirmuar presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. “Është koha e Europës. Më 27, 28 dhe 29 dhjetor, BE do të nisë vaksinimin në të gjitha shtetet. Ne i mbrojmë qytetarët tanë. Ne jemi më të fortë së bashku”, shkruajti presidentja e Komisionit në Twitter. Gjatë një konference ditën e enjte, zëdhënësja e Bashkimit Europian tha se vaksinat do të fillojnë të shpërndahen në shtetet anëtare të unionit më 26 dhjetor. Ky lajm vjen një ditë pasi Agjencia Europiane e Barnave tha se do ta zhvendosnin mbledhjen e komitetit më 21 dhjetor për të përmbyllur vlerësimin mbi miratimin e vaksinës së kompanive Pfizer dhe BioNTech.