Gjeneralët amerikanë të alarmuar
https://parstoday.ir/sq/news/world-i102466-gjeneralët_amerikanë_të_alarmuar
Udhëheqësit ushtarakë në Pentagon dhe në zonën e Uashingtonit janë në gatishmëri të kuqe, duke dyshuar për atë që Presidenti Donald Trump mund të bëjë në ditët e tij të fundit në detyrë.
(last modified 2026-04-21T08:27:00+00:00 )
Dhjetor 25, 2020 16:24 Europe/Tirane
  • Gjeneralët amerikanë të alarmuar

Udhëheqësit ushtarakë në Pentagon dhe në zonën e Uashingtonit janë në gatishmëri të kuqe, duke dyshuar për atë që Presidenti Donald Trump mund të bëjë në ditët e tij të fundit në detyrë.

Oficerët e lartë amerikanë diskutuan se çfarë do të bënin nëse presidenti shpallte ligjin ushtarak. Dhe komandat ushtarake përgjegjëse për Uashington DC janë të angazhuara në planifikim të fshehtë të rezervave në rast se forcat e armatosura thirren për të ruajtur ose rivendosur rendin civil gjatë periudhës së inaugurimit dhe tranzicionit të pushtetit te Presidenti i zgjedhur Joe Biden. Sipas një oficeri që foli në kushte anonimiteti me revistën amerikane, Newsweek, planifikimi po injorohet nga Shtëpia e Bardhë dhe besnikët e Trump në Pentagon, sepse përndryshe ai mund të anulohej. "Unë kam qenë i lidhur me ushtrinë për më shumë se 40 vjet dhe nuk kam parë kurrë diskutime si ato që po zhvillohen tani," tha oficeri ushtarak amerikan në pension, i cili është ende duke punuar për ushtrinë por në një mënyrë indirekte. Gjashtë oficerë në pozicione të ngjashme bien dakord se nuk ka asnjë mundësi që udhëheqësit me uniformë të përfshihen në një intrigë për të krijuar një përmbysje lidhur me zgjedhjet. Ata frikësohen, megjithatë, se ushtria do të tërhiqet në krizën e Trump, veçanërisht nëse ky i fundit përpiqet të mbledhë milici private për të prishur tranzicionin e pushtetit dhe kështu të provokojë dhunë në rrugët e kryeqytetit. Tani për tani, për shkak të koronavirusit, thotë një gjeneral në pension, presidenti në të vërtetë ka fuqi të jashtëzakonshme, të cilat mund ta bindin atë - veçanërisht nëse ai dëgjon disa nga mbështetësit e tij - që 'ai ka kompetenca të pakufizuara dhe është mbi ligjin. Më parë, kishte spekulime rreth përdorimit të operacioneve ushtarake nga Trump për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale. Më shumë se një muaj pas humbjes së tij, Trump vazhdon të bëjë akuza serioze në lidhje me zhvillimin e këtyre zgjedhjeve. Në një shkrim të postuar të Mërkurën, qiramarrësi i Shtëpisë së Bardhë sulmoi procesin e verifikimit të votimit në Xhorxhia të cilin ai e quajti "të ngadaltë". "Ata nuk duan që rezultatet të dihen deri më 6 janar," tha ai para se të shtonte: "Ata e dinë mirë atë që po përpiqen kaq shumë të fshehin." Trump u ka premtuar mbështetësve të tij se do të ketë një tubim "të egër" në Washington DC në 6 Janar, ditën kur Kongresi do të takohet për të finalizuar zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. "Statistikisht e pamundur të kem humbur zgjedhjet e vitit 2020", shkroi Trump duke shtuar: “Demonstrim i madh në Washington DC në 6 Janar. Të jeni atje, do të jetë e egër! ".