Presidenti armen refuzon të shkarkojë shefin e ushtrisë
https://parstoday.ir/sq/news/world-i104802-presidenti_armen_refuzon_të_shkarkojë_shefin_e_ushtrisë
Presidenti i Armenisë, Armen Sarkissian ka refuzuar që ta nënshkruajë vendimin për shkarkimin e shefit të ushtrisë, i cili më 25 shkurt u shkarkua nga kryeministri Nikol Pashinian, gjë që nxiti krizë politike.
(last modified 2025-09-04T20:32:14+00:00 )
Shkurt 27, 2021 19:50 Europe/Tirane
  • Presidenti armen refuzon të shkarkojë shefin e ushtrisë

Presidenti i Armenisë, Armen Sarkissian ka refuzuar që ta nënshkruajë vendimin për shkarkimin e shefit të ushtrisë, i cili më 25 shkurt u shkarkua nga kryeministri Nikol Pashinian, gjë që nxiti krizë politike.

Sipas deklaratës së postuar më 27 shkurt në ueb-faqen e Presidencës, thuhet se Sarkissian e vlerësoi shkarkimin e gjeneralit Onik Gasparian si veprim jokushtetues. Ky vendim i presidentit i jep Pashinianit afat prej pesë ditësh, ku brenda kësaj periudhe, kryeministri armen, mund ta dërgojë sërish te presidenti urdhrin për shkarkimin e gjeneralit. Megjithatë, Pashinian, menjëherë pas këtij vendimi të presidentit njoftoi se ka dërguar sërish të njëjtën kërkesë te Sarkissian. Pashinian shkroi në Facebook se vendimi i presidentit Sarkissian “aspak nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës”. Tani, presidenti Sarkissian ka tri ditë afat për të nënshkruar urdhrin apo që këtë çështje ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Në deklaratën e tij, Sarkissian theksoi se ai nuk mbështet asnjëherë palë sa i përket çështjes së shkarkimit të Gasparianit dhe shtoi se “Forcat e Armatosura duhet të mbajnë neutralitetin politik”. Ndërkaq, gjatë një tubimi të opozitës të mbajtur në Jerevan, ish-kryeministri Vazgen Manukian, i cili është propozuar si person që mund ta zëvendësojë Pashinianin, tha se me këtë vendim, presidenti qëndron përkrahë ushtrisë. Ushtria e Armenisë ka kërkuar dorëheqjen e Pashinianit lidhur me mënyrën se si ai ka menaxhuar konfliktin gjashtëjavor të vitit të kaluar në mes të Azerbajxhanit dhe forcave etnike armene, mbi rajonin e Nagorni Karabakut.