Protestë kundër masave të izolimit në Holandë
Policia në Holandë ka përdorur topa uji dhe shkopinj gome për të shpërndarë qindra protestues në Hagë, të cilët po kundërshtojnë masat e izolimit, të vendosura për ta luftuar përhapjen e mëtejmë të coronavirusit.
Protesta e së dielës në Hagë vjen vetëm një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Policia ndërhyri kur protestuesit shkelën rregullat e mbajtjes së distancës fizike dhe injoruan thirrjet e autoriteteve të sigurisë që të shpërndahen. Mediat lokale raportuan se policia ka ndaluar disa protestues. Autoritetet ndaluan shërbimin e trenave në Hagë, për të parandaluar arritjen e më shumë protestuesve. Policia paralajmëroi protestuesit se nëse nuk shpërndahen, ata do të ndërhyjnë. Holanda ka qenë nën masa të izolimit që prej fundit të janarit dhe në këtë shtet është e ndaluar që të mblidhen më shumë se dy persona. Po ashtu, restorantet dhe baret janë mbyllur dhe gjatë natës aplikohet edhe kufizimi i lëvizjes. Pavarësisht masave të rrepta kundër pandemisë, qytetarët holandezë do të votojnë në zgjedhje. Duke filluar nga e hëna do të hapen vendvotimet të cilat do të qëndrojnë të hapura për tre ditë, me qëllim që të mos ketë grumbullim të qytetarëve. Partia e kryeministrit aktual holandez, Mark Rutte po synon që të marrë edhe një mandat të ri katërvjeçar.