Transporti në kanalin e Suezit është kthyer në normalitet
(last modified Tue, 30 Mar 2021 07:02:25 GMT )
Mars 30, 2021 09:02 Europe/Tirane
  • Transporti në kanalin e Suezit është kthyer në normalitet

Anija gjigande e mallrave që mbajti të bllokuar kanalin e Suezit për afro një javë, më në fund po lëviz duke hapur kalimin në të dyja drejtimet.

E gjithë kjo u arrit pas një operacioni të jashtëzakonshëm dhe rimorkiatorët u ranë pa fund sirenave pasi Ever Green, 400 metra e gjatë, lëvizi nga vendi. Në orën 20.00 sipas orës lokale, ose 19.00 sipas orës sonë, trafiku rinisi ndërkohë që me qindra anije ishin në pritje të këtij momenti. Suezi që lidh Mesdheun me Detin e Kuq, përmes Egjiptit, është një nga trajektoret më të frekuentuara të tregtisë në botë. Të paktën 369 anije ishin në pritje për të kaluar, mes tyre dhjetëra anije kontejnerësh si dhe cisterna nafte dhe gazi të lëngshëm, thanë zyrtarët. Ata kanë thënë se trafiku nëpër kanal do të përshpejtohet. Por ata shtojnë se mund të duhen dy deri në tre ditë për kalimin e të gjitha anijeve që janë aktualisht në pritje. Grupi i transportit Maersk tha se mund të duhen javë ose muaj për të kapërcyer çrregullimet që bllokimi i kanalit shkaktoi në transportin global detar. Kjo ka sjellë vonesa të kushtueshme për kompanitë, të cilave u duhet të përballojnë edhe kufizimet për shkak të koronavirusit. Çmimet e transportit për cisternat e produkteve të naftës gati janë dyfishuar pas bllokimit të anijes Ever Green.