Rusia tërheq ushtrinë pranë kufirit të Ukrainës
Rusia njoftoi të enjten se do të tërheqë trupat pranë Ukrainës dhe Krimesë, duke gjykuar se stërvitjet e saj ushtarake kanë mbaruar.
Sipas mediave vendosja e ushtrisë ruse, duke përfshirë dhjetëra anije detare, qindra aeroplanë luftarakë dhe mijëra trupa, është kritikuar rëndë nga fuqitë perëndimore. Ajo u pa si një shfaqje e forcës mes tensioneve me Ukrainën. “Trupat kanë demonstruar aftësinë e tyre për të siguruar një mbrojtje të besueshme të vendit”, ka thënë ministri rus i mbrojtjes Sergei Shoigu në një njoftim për shtyp. Deklarata e Shoigu nuk bëri të qartë, megjithatë, sa trupa shtesë ishin zhvendosur në Krime – as ai nuk tregoi nëse të gjithë do të tërhiqeshin përsëri në bazat e tyre të përhershme. Sipas NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara, grumbullimi i forcave ishte më i madhi që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë. Ndryshe, ka pasur gjithashtu një numër në rritje të shkeljeve të një armëpushimi të mbajtur në rajon në javët e fundit, si dhe tensioneve në rritje midis dy kombeve.