Parashikohet rritja e kërkesës për naftë
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka lëshuar një raport që parashikon që kërkesa globale për naftë, e cila kishte rënë për shkak të shpërthimit të pandemisë Covid-19, do të jetë edhe më e lartë deri në fund të vitit 2022 sesa para krizës.
Kërkesa globale e naftës pritet të rritet me 5.4 milion fuçi në ditë këtë vit dhe 3.1 milion fuçi vitin e ardhshëm, pas një rënie të paparë prej 8.6 milion fuçi në vitin 2020. Kështu, kërkesa për naftë në botë do të arrijë mesatarisht 99 milion e 500 mijë fuçi në ditë. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, kërkesa globale e naftës pritet të arrijë 100.6 milion fuçi në ditë në tremujorin e katërt të 2022. Nëse kjo shifër e kërkesës globale për naftë plotësohet, ajo do të jetë më e lartë se kulmi përpara shpërthimit të pandemisë Covid-19. Kërkesa botërore për naftë në tremujorin e katërt të tetorit, nëntorit dhe dhjetorit 2019 ishte rreth 100.5 milion fuçi në ditë. Raporti i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë përmend në mënyrë specifike kapacitetin shtesë të prodhimit të OPEC dhe aleatëve të tij dhe thekson se rritja e pritur e kërkesës nuk do të jetë e vështirë për vendet prodhuese. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në raportin e saj gjithashtu vazhdoi të këshillojë vendet e zhvilluara mbi politikat e energjisë së pastër, për të vazhduar përpjekjet e tyre për të luftuar ngrohjen globale dhe ndryshimin e klimës. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë këshillon më tej vendet që nga tani e tutje të braktisin çdo plan kërkimi të naftës dhe gazit dhe të mos shesin automjete me karburant hidrokarburesh nga viti 2035 e tutje.