Franca i quan diskriminuese ligjet e reja të Anglisë për karantine
Franca kritikoi ashpër vendimin e Anglisë që mbajti në fuqi rregullin e karantinës vetëm për qytetarët francezë dhe e hoqi atë për vendet e tjera të Bashkimit Evropian.
Qeveria e Francës i konsideron këto rregulla diskriminues dhe jo të bazuara në shkencë dhe paralajmëroi me masa reciproke.
Clement Beaune, ministër për çështje evropiane në qeverinë e Francës, deklaroi: “Është një vendim i tepërt dhe sinqerisht i pakuptimtë në baza shëndetësore. Kemi qenë, në kohë të ndryshme, në situata të vështira shëndetësore në Francë, dhe i kemi kuptuar disa nga fqinjët tanë që vendosën masa strikte sa i përket udhëtarëve nga Franca. Por këtë herë, autoritetet britanike hoqën karantinën e detyrueshme për çdo shtet evropian, përveç Francës".
"Kjo për shkak të variantit Beta, nëse e kuptoj mirë është ai i Afrikës së Jugut, që përbën më pak se 5% të rasteve në Francë. Ne po u themi britanikëve, se në nivel shkencor dhe shëndetësor, nuk ka asnjë shpjegim për këtë vendim. Shpresoj të rishikohet sa më parë që të jetë e mundur. Do të vazhdojmë që të bëjmë presion, por nuk detyrojmë britanikët ta heqin karantinën e detyruar. Megjithatë, jam në favor të vendosjes së masave reciproke”, theksoi ndër të tjera Clement Beaune.