Prioritetet e kandidatit për Kancelar të Gjermanisë
Kandidati për kancelar i Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD), Olaf Scholz, në një intervistë për mediat gjermane tha se është i gatshëm të marrë përsipër drejtimin e një koalicioni trepalësh, mes SPD-së, partitë E Majta dhe me të Gjelbrit.
Scholz shtoi se është "i kënaqur që jo vetëm ai dhe SPD por edhe partitë e tjera kanë bërë të qartë se nuk do të krijojnë qeveri me ndihmën e partisë së ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AfD.” Scholz beson që partitë "CDU / CSU do të kalojnë në opozitë për t'u çlodhur, sepse ato nuk kanë plane të sakta për të ardhmen sepse edhe lobistët kanë fituar shumë pushtet mbi këto parti, gjë që nuk është e mirë për Gjermaninë.” Duke folur për parimet e tij ai tha: ”Unë jam shumë i angazhuar ndaj përgjegjësisë së Gjermanisë brenda kuadrit të partneritetit transatlantik të NATO-s dhe besoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që Evropa të jetë e fortë dhe sovrane dhe se ne mund të japim kontributin tonë si një vend i madh në mes të Bashkimit Evropian.” Kandidati socialdemokrat tha se synon sigurisht që ekonomia në Gjermani të jetë solide, e qëndrueshme dhe të ketë stabilitet si kur bëhet fjalë për buxhetin federal edhe kur është fjala për mënyrën se si të sigurojmë vende të mira pune dhe zhvillim ekonomik të duhur. Scholz tha se për të "është shumë e rëndësishme që në Gjermani të ketë një pagë minimale prej 12 eurosh në orë, e cila do t'u mundësojë rreth dhjetë milionë qytetarëve paga më të mira.” Sa u përket dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia Scholz tha qeveria ka miratuar 400 miliardë euro që do të shpenzohen në fund të vitit të ardhshëm për të luftuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga pandemia në Gjermani. Scholz tha, se është angazhuar shumë që vendet e G-7 dhe të vendet e G20 të vendosin për lehtësimin e borxhit për vendet e tjera të botës si dhe për moratoriumet e borxhit në sektorët ku është e mundur të zbatohet kjo. Ai tha se Gjermania po ashtu ka vënë në dispozicion miliarda euro për vendet në zhvillim në mënyrë që ato të sigurojnë doza vaksinimi.